Rama takon Pompeon: Terminali që do të sjellë gazin amerikan në Vlorë zgjon interesa të shumanshme

Shqipëria

Rama takon Pompeon: Terminali që do të sjellë gazin amerikan në Vlorë zgjon interesa të shumanshme

Më: 16 maj 2022 Në ora: 11:13
Foto nga takimi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ish-sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo morën pjesë sot në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit mes operatorit shqiptar të shpërndarjes së gazit Albgaz dhe kompanisë bullgare Overgas.

Kompania Overgas ka shprehur interes për t’u furnizuar me gaz përmes terminalit të gazit që do të ngrihet në Vlorë, një projekt me rëndësi të veçantë, i cili po bëhet realitet me kompanitë më të njohura amerikane.

Në një njoftim në Facebook ku shpërndau pamje nga ceremonia e mbajtur për këtë rast në Tiranë, Kryeministri Rama e konsideroi këtë memorandum një hap të rëndësishëm.

Me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, në një tjetër hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së vizionit Shqipëria 2030 eksportuese neto e energjisë. Furnizimi me gaz përmes terminalit të ri që do të ngrihet në Vlorë, tanimë po zgjon interesa të shumanshme”, tha Rama në fjalën së tij të rastit.

Është një moment i shënuar për një nga projektet tona më të rëndësishme dhe strategjike që ka të bëjë me gazifikimin e Shqipërisë, duke iu referuar projektit të Termocentralit të Vlorës të pjesës gazifikuese të portit lundrues që do të ndërtohet në Vlorë dhe padyshim të një hapi të madh që ne po hedhim duke e kthyer këtë projekt nga një projekt lokal në një projekt rajonal”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, gjithashtu pjesëmarrëse në event.

Ky fakt, theksoi Balluku, është dukur qartazi në javët e fundit, kur ne pasi kemi publikuar të gjithë përpjekjen tonë në bashkëpunim me partnerët tanë amerikanë, duke përmendur këtu kompanitë e mëdha, por nga ana tjetër kemi pasur një shprehje dëshire për bashkëpunim nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, për tu bërë pjesë e këtij projekti, duke e kthyer këtë projekt në një projekt të rëndësishëm rajonal.

Ministrja Balluku u shpreh se “projektit tonë i afrohen edhe partnerë të tjerë mjaft të njohur me kontribute shumë të mëdha në fushën e naftës dhe gazit në SHBA, që është “Linden Group”. Ne sot ndihemi me të vërtet të nderuar që të kemi interesin e tyre për të bashkëpunuar dhe për të firmosur një memorandum bashkëpunimi, për ta zhvilluar këtë projekt edhe më tej nga çfarë ne kemi në biznes planin tonë të derisotëm”.

Fakti që sekretari e mbështet këtë nismë dhe është këtu sot për të dëshmuar se ky do të jetë një bashkëpunim serioz dhe në të ardhmen mund të kthehet në një bashkëpunim real, ku do të kontribuojnë jo vetëm shtetet që përmenda, por edhe më tej siç është rasti i Overgas-it bullgar i cili për shkak të gjithë gjeopolitikës dhe zhvillimeve, që po ndodhin po has vështirësi, të cilat pa dyshim në të ardhmen do të zgjidhen përmes këtyre projekteve rajonale ku Shqipëria luan një rol të rëndësishëm”, tha Balluku.

Të gjitha ndryshimet gjeopolitike e kanë vënë Shqipërinë në një pozicion më të fortë për shkak të gjeografisë që ajo ka, por mbi të gjitha për shkak të aderimit që ne bëjmë si anëtar i NATO-s. por edhe të gjithë marrëdhënies dhe partneritetit strategjik që ne kemi prej vitesh me SHBA-në”, tha Balluku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat