Berisha: Misioni ynë, rrëzimi i qeverisë

Shqipëria

Berisha: Misioni ynë, rrëzimi i qeverisë

Më: 16 maj 2022 Në ora: 21:12
Sali Berisha

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në turin e tij për zgjedhjet e kreut të PD-së, u ndal në qytetin e Kukësit. Berisha në fjalën e tij u shpreh se demokratët kaluan vështirësi të paimagjinueshme, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka ndërhyrë në dobësimin e PD-së.

“Nuk kurseu asgjë për realizmin e projektit në Shqipëri për një opozitë false apo të rreme, për mposhtjen përfundimtare të PD. Përdori të gjitha mjetet e një shteti pa ligj e moral, të gjitha format e joshjes dhe presioneve. Një qëndrim të tillë nuk mbajt as Ramiz Alia pas themelimit të PD”.

Por Berisha theksoi se në realizimin e këtij projekti Rama nuk ishte i vetëm, pasi kishte me vete dhe ish-kryedemokratin Lulzim Basha.

“Kundër nesh u rreshtua lidershipi, ish-kreu i PD, i lidhur me një mijë fije me qeverinë, prapa shpinës suaj dhe kurrizit tuaj bënë gjithçka që të mposhtim përpjekjen tonë për të rithemeluar PD”.

Ish-Kryeministri nuk kurseu as Kryeministrin Edi Rama për refuzimin për votimin e rezolutës që dënonte gjenocidin serb në Srebrenicë dhe se sipas tij qeveria Rama është e afërt me Beogradin.

“A nuk kemi një qeveri e cila në mënyrën më të paimagjinueshme i bën tualet Aleksandër Vuçiç. Rama nuk lë fjalë të mirë pa thënë për të që të nxjerrë të keq Albin Kurtin. Ne do të shndërrohemi si lëvizje kur të bindim çdo shqiptar se albanofolës që nuk dënojmë gjenocidin. Kemi një qeveri të cilën ne duhet ta përmbysim sa më parë dhe sa më shpejt. Të vazhdojmë këtë mision të madh”.

Para demokratëve Berisha premtoi se me ardhjen e PD në pushtet do të ketë dyfishim të rrogave dhe pensioneve, të ndihmës sociale dhe do të zhduket varfëria ekstreme./Tv Klan/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat