Vendimi për Tiranën e Shkupin, në mbledhjen e Këshillit europian dhe udhëheqësit e Ballkanit

Shqipëria

Vendimi për Tiranën e Shkupin, në mbledhjen e Këshillit europian dhe udhëheqësit e Ballkanit

Më: 20 maj 2022 Në ora: 18:35
Edi Rama

Në mbledhjen e Këshillit europian në Qershor ku në tavolinë do të jetë sërish dhe çështja e nisjes së bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të jenë të pranishëm dhe udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo u bë e ditur sot nga Presidenti i këtij Këshilli Charles Michel, gjatë vizitës së tij në Tiranë.

Brukseli, përveçse të përsërisë, siç bëri dhe sot presidenti Michel, se Shqipëria i ka përmbushur kushtet dhe se duhet të caktohet data për konferencën e parë ndërqeveritare, nuk ka peshë në vendimmarrjen e cila është eskluzivisht në dorë të vendeve anëtare, dhe në këtë rast të vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. “27 shtetet anëtare duhet të marrim një vendim të përbashkët por unë kam vendosur që kjo çështje, dhe mënyrën se si ne po punojmë me miqtë tanë, ta vëmë në tryezë, ta diskutojmë në takimin e Këshillit Europian në qershor dhe prandaj them që unë mora dhe iniciativën që të ftoj miqtë tanë nga Ballkani Perëndimor që të marrin pjesë në takimin e qershorit”, shpjegoi zoti Michel.

Për të mos lënë, që pengesat e procesit të integrimit të çojnë një ftohje të ambicieve të vendeve të rajonit për t’u bërë pjesë e BE-së, Brukseli mesa duket po eksploron dhe mundësi të tjera, siç është dhe kjo ftesë për udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.”Të mos presim për vendimin përfundimtar për anëtarësimin por të kemi një platformë politike dhe kjo mungon. Ju duhet të keni rastin që rregullisht, ne nivel udhëheqësish, në nivel ministrash të bashkërendoni, të bashkëpunoni që të shikojmë se si mund të trajtojmë këto sfida që duhen trajtuar nga të gjithë ne sëbashku prandaj ne mendojmë që është gjë e mirë që të bisedojmë me miqtë tanë për këtë koncept, për këtë ide”, deklaroi Presidenti i Këshillit.

Kjo ide, duket se është ushqyer që më herët nga kryeministri Edi Rama, i cili pohoi se kishte diskutuar dhe me presidentin francez, apo dhe kancelarin gjerman për “nevojën që Bashkimi Europian të kapërcejë këtë fazë kur e gjithë marrëdhënia jonë me Bashkimin Europian si Shqipëri apo si vende të Ballkanit Perëndimor, është një marrëdhënie që kalon vetëm përmes procesit të integrimit europian, të kapitujve, e kështu me radhë e të hedhë një hap më tutje për ta afruar politikisht shumë më pranë Ballkanin Perëndimor, duke bërë një integrim të menjëhershëm në aspektin politik, që do të thotë në aspektin e pjesëmarrjes së vendeve tona në tryezat europiane, në aspektin e pjesëmarrjes së vendeve tona, në proceset e përgatitjeve të vendimmarrjeve që lidhen me sigurinë, që lidhen me përballimin e krizave që na prekin bashkërisht, në mënyrë që të bashkëjetojmë si një komunitet i njëjtë, e natyrisht brenda këtij komuniteti vendet kanë edhe detyrimet e tyre”.

NJë variant edhe më i avancuar, është ai që përmendi sot dhe presidenti i Këshillit, “idea e anëtarëve të asociuar. Pra ky është një objektiv i përafërt që ne dëshirojmë të kemi formatet e duhura, në mënyrë që të bashkëpunojmë me njëri – tjetrin, të njihemi më mirë me njëri-tjetrin, të kuptojmë gjithçka më mirë, të kuptojmë cilat janë mundësitë, vështirësitë e se si mund të kujdesemi për njëri tjetrin”, shpjegoi ai. Për kryeministrin Rama “kjo i jep fund të gjitha spekulimeve, i jep fund të gjitha teorive të konspiracionit, i jep fund të gjitha paranojave se ne po na mban Bashkimi Europian aty larg se nuk do të na fusë e se kështu e se ashtu”.

Nëse në mbledhjen e qershorit nuk do të ketë një vendim pozitiv, qeveria shqiptare e ka bërë të qartë se ajo do të kërkojë të shkëputet nga Maqedonia e Veriut, për të mos mbetur peng i vetos së Sofjes ndaj Shkupit. Presidenti i Këshillit europian tha se “pas disa javësh do të kemi një mbledhje të fundit të Presidencës franceze. Janë realizuar përpjekje të mëdha politike lidhur me këtë, për të zgjidhur këtë situatë. Ne do ta bëjmë vlerësimin në muajin qershor. Unë shpresoj ende me gjithë zemër që do të jemi në gjendje para fundit të qershorit që ta bëjmë këtë gjë. Natyrisht nëse kjo nuk ndodh duhet ta rishohim situatën dhe pozita e kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe e përligjur lidhur me këtë”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat