VOA/ Shqipëri, dështojnë përpjekjet për konsensus në zgjedhjen e presidentit

Shqipëria

VOA/ Shqipëri, dështojnë përpjekjet për konsensus në zgjedhjen e presidentit

Më: 20 maj 2022 Në ora: 20:02
Foto ilustrim

Në Shqipëri, përpjekja për një konsensus në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, duket se ka dështuar përfundimisht. Dy ditë më parë socialistët dhe kreu i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj, ranë dakort për mënyrën se si do të vepronin, por sot ata i bënë një interpretim të ndryshim marrëveshjes së arritur.

Zoti Alibeaj, deklaroi se sipas propozimit të tij, opozita do të ofronte 4 emra, nga të cilët shumica do duhej të jepte pëlqimin për një dy prej tyre. Më pas të dyja palët së bashku do të përzgjidhnin njërën kandidaturë të cilën do e zyrtarizonin me firmat e përbashkëta nga deputetë të të dy palëve. “Nga ana e PS pretendohet që Jo, kjo kandidaturë eventuale duhet të ketë vetëm nënshkrimet tona. Po këtë të drejtë na e jep kushtetuta. Kjo tërheqje nga nënshkrimi, edhe nga pala tjetër, nuk është gjë tjetër veçse mospranim i konsensualitetit të kandidaturës dhe nga konsensualiteti i procesit. Eshtë tërheqje”, deklaroi zoti Alibeaj.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të grupit parlamentar socialist Taulant Balla, sipas të cilit shumica nuk e kishte pranuar formulën e propozuar nga zoti Alibeaj, por kishte pranuar që ajo vetë të mos ofronte propozime në raundin e dytë dhe të tretë. “Nëse ti vë kusht që ose zgjidh një nga këto 4 emra o s’ka, këtu ja ke hequr të drejtën palës tjetër që të propozojë. Dakortësia është që të gjithë të propozojnë, por që shumica nuk propozon dot në raundin e dytë dhe të tretë”, u shpreh ai duke shprehur “keqardhjen për tërheqjen e PD”.

Zoti Balla theksoi se ata janë të gatshëm të diskutojnë me opozitën, nëse do vendosin që të paraqesin emra kandidatësh dhe se do të lënë afatin maksimal për zhvillimin e raundeve të votimit, siç ishte dakortësuar.

Votimi i parë i të hënës, u dogj pa kandidatë, e po këtë fat duket qartë se do të ketë dhe raundi i dytë, ku po ashtu kërkohet një shumicë e cilësuar deri në raundin e tretë. Më pas në dy raundet pasuese, presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat