Shqipëria më pranë BE-së? Sa herë iu refuzua përgjatë 4 viteve hapja e negociatave

Shqipëria

Shqipëria më pranë BE-së? Sa herë iu refuzua përgjatë 4 viteve hapja e negociatave

Më: 23 qershor 2022 Në ora: 10:24
Foto ilustrim

Negociatat për anëtarësim shënojnë momentin kyç në proceset integruese të një vendi për në BE. Por shqiptarët ende nuk e kanë një datë se kur do të trokasin në derën e familjes europiane.

Që nga 27 qershori 2018, ditën kur Kryeministri i vendit, Edi Rama, njoftoi se Shqipëria është më pranë BE-së për shkak të dhënies së dritës jeshile, ende nuk ka një datë se kur do të hapen negociatat me BE-në. Vit pas viti, negociatat ose u bllokuan me veto, ose u zvarritën, ose u shtuan kushtet.

Në rrugëtimin prej 4 vitesh, Shqipëria duket më larg BE-së sesa afër saj. Këtë radhë, për shkak të një konflikti mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Edhe këtë herë ka shpresë, siç pati çdo vit kur pritej hapja e negociatave. Në samitin e BE-së, që zhvillohet sot në Bruksel, do të vendoset nëse do t’u jepet statusi i kandidatit dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, ndërsa do të përsëritet përkushtimi i BE-së për perspektivën e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Një shpresë e vakët si ajo e viteve të kaluara. Liderët e BE-së, çdo herë pa vendim për negociatat! Fillimisht Presidenti francez, Emanuel Macron, vuri veto Shqipërisë e MV.

Macron deklaroi se para se BE të vendosë për zgjerimin, duhet të reformojë së pari veten. Zgjerimi “shtyhet” në 2020. Pastaj një tjetër shtyrje. Të gjitha qeveritë e BE-së ranë dakord që në mars 2020 t’i hapin Shqipërisë dhe MV dritën jeshile për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Por, negociatat nuk kanë nisur ende pasi Bullgaria këmbëngulte se donte lëshime nga MV në mosmarrëveshjet dypalëshe për sa i takon gjuhës, historisë dhe identitetit. Sot mund të ketë një dritë jeshile nga Brukseli por sipas Kryeministrit Edi Rama, “është shumë herët për të qenë optimist”.

MOCIONI

Në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor, në Bruksel deputetët e CDU/CSU kërkojnë nga qeveria gjermane hapa konkrete për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Një ditë para samitit BEBallkan, partia më e madhe opozitare gjermane po e rrit presionin ndaj qeverisë mbi Ballkanin Perëndimor.

Grupi Parlamentar i Unionit Kristiandemokrat e Kristiansocial (CDU/CSU) në Bundestag ka paraqitur një mocion në Parlamentin gjerman, i cili diskutohet sot, 22.06 në plenum. Deputetët gjermanë i bëjnë thirrje qeverisë gjermane që të arrijë në BE një perspektivë “të shpejtë, të qartë, të besueshme dhe progres të prekshëm” për anëtarësimin e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, MV dhe Serbisë” në BE. Deputetët opozitarë kërkojnë gjithashtu që me vendet kandidate të miratohen hapa të ndërmjetëm për t’i afruar ato edhe më ngushtë me BE-në.

Ata sugjerojnë anëtarësimin e asociuar pa të drejtë vote në politikat e përbashkëta të jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe në tregun e brendshëm të BE—së, në këmbim të reformave dhe zbatimit të kritereve të Kopenhagës dhe progresit në sundimin e ligjit. Deputetët kërkojnë në mocionin e tyre që qeveria gjermane të ndikojë që shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën, ta njohin atë.

Deputetët sugjerojnë që qeveria gjermane ta argumentojë këtë me situatën e re të sigurisë të krijuar pas agresionit rus në Ukrainë. Më tej, deputetët kërkojnë edhe angazhimin e diplomacisë gjermane për anëtarësimin sa më shpejt që është e mundur të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe si hap i parë në Këshillin e Evropës.

Veç të tjerash, deputetët kërkojnë refuzim të vendosur të ndryshimit të kufijve në vendet e Ballkanit Perëndimor, perspektivën e anëtarësimit të tyre në NATO, rritjen e luftës kundër korrupsionit, vazhdimin e “Procesit të Berlinit” për bashkëpunimin dhe zhvillimin rajonal dhe reforma brenda BE-së që sigurojnë kapacitetin e tij absorbues në të ardhmen.

Integrimi, Balla përshëndet rezolutën e CDU/CSU 

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, shprehu dje mirënjohjen ndaj Grupit të CDU/CSU për mocionin me rezolutë të propozuar në Bundestag, ku i kërkohet Bashkimit Evropian një perspektivë e qartë dhe e shpejtë për anëtarësimin e Shqipërisë, dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane. Balla shprehet se Shqipëria do të vazhdojë të jetë e angazhuar në rrugën e reformave të thella të ndërmarra në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, të vetëdijshëm se kjo është e vetmja rrugë që ka mbështetjen e qytetarëve shqiptarë dhe të miqve të Shqipërisë.

“Mirënjohje Grupit të CDU/CSU për mocionin me rezolutë të propozuar në Bundestag, ku i kërkohet BE-së një perspektivë e qartë dhe e shpejtë për anëtarësimin e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në familjen europiane. Shqipëria do të vazhdojë të jetë e angazhuar në rrugën e reformave të thella të ndërmarra në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, të vetëdijshëm se kjo është e vetmja rrugë që ka mbështetjen e qytetarëve shqiptarë dhe të miqve të Shqipërisë”, shprehet Balla.

Në Bruksel, sot mbahet samiti i BE-së ku është e ftuar edhe Shqipëria. Bullgaria dha dje shenja pozitive lidhur me mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me BE-në. Ishte pikërisht qeveria bullgare që vitet e fundit kushtëzoi votën pro të Bullgarisë në mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe.

Vendimi u përshëndet edhe nga Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varheji, në “Twitter”. Temat e samitit të sotëm në axhendë përfshijnë Evropën më të gjerë, situatën në Ukrainë, aplikimet për anëtarësim në BE nga Ukraina, Republika e Moldavisë dhe Gjeorgjisë, çështjet ekonomike, Konferenca për të Ardhmen e Evropës, dhe marrëdhëniet e jashtme. KE do të mbajë një diskutim strategjik mbi marrëdhëniet e BE-së me partnerët e saj në Evropë, duke përfshirë mënyrën se si të nxisë dialogun politik dhe të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat