Zjarret në pyje! Zjarrfikësit në Tiranë shtojnë edhe tre stacione të reja

Shqipëria

Zjarret në pyje! Zjarrfikësit në Tiranë shtojnë edhe tre stacione të reja

Më: 25 qershor 2022 Në ora: 12:34
Zjarret në pyje

Rritja e temperaturave në stinën e verës shton riskun e zjarreve në zona të gjelbra ku në 90% të rasteve janë të shkaktuara nga njeriu qëllimisht ose aksidentalisht. Për të menaxhuar këtë situatë zjarrfikëset e Tiranës kanë shtuar 3 stacione të reja dhe 25 përqind staf.

“Gjatë muajve të verës kemi ngritur 3 stacione të reja ne zonën e Dajtit, Petrelës dhe Mulletit pasi i konsiderojmë si zona me risk. Shërbimi qëndron në zonë deri në orën 20.00 të mbrëmjes.  Kemi kryer konsultime dhe me banorët e këtyre zonave që të jenë të kujdesshëm. Po shut edhe këtë vit po operojmë me zjarrfikësit vullnetarë”- tha drejtori i zjarrfikësve Tiranë, Shkëlqim Goxhaj.

Ndërsa në zonat urbane 24/7 janë në gatishmeri 7 stacione zjarrfikëse. Zjarret më të shpeshta në qytet janë ato në banesa të shkaktuar kryesisht nga rrjedhje e gazit për gatim.

“Qytetarët nuk duhet të përdorin bombolat e gazit 5 kg portokalli. Ato janë për kamping dhe janë vetëm një përdorimshe. Qytetarët i rimbushin dhe shumica e ngjarjeve ndodhin pikërisht nga këto bombola. Edhe qytetarët që përdorin bombola të tjera duhet t’i rimbushin në pikat e autorizuara jo në autogaz.”- tha Shkëlqim Goxhaj

Problematike mbetet edhe djegia e automjeteve. Në zjarrfikëset e kryeqytetit pothuajse çdo ditë ka njoftime për djegie mjetesh

“Do të këshilloja që të mbanin në mjet një fikse zjarri të vogël në makinë për të ndërhyrë shpejt sapo të konstatojnë flakët. Kjo parandalon që zjarri të marrë përmasa.”- tha drejtori i zjarrfikësve Tiranë Shkëlqim Goxhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat