“S’pajtohemi me gjuhën e Ramës…”, analisti bullgar: S’kemi faj pse ka lidhur fatin e Shqipërisë me Shkupin dhe Beogradin

Shqipëria

“S’pajtohemi me gjuhën e Ramës…”, analisti bullgar: S’kemi faj pse ka lidhur fatin e Shqipërisë me Shkupin dhe Beogradin

Më: 26 qershor 2022 Në ora: 09:08
Anton Panchev

Analisti bullgar Anton Panchev, njohës i mirë i gjeopolitikës, në një intervistë për Rtv Ora me gazetarin Sebastian Zonja, thotë se Rama duhet të jetë më mirëkuptues ndaj Bullgarisë në kërkesat e saj ndaj Maqedonisë së Veriut pasi nuk po bën gjë tjetër përpos asaj që bën Rama për shqiptarët në trojet shqiptare.

Analisti bullgar foli dhe për  bashkëpunimin e munguar mes dy vendeve në infrastrukturë dhe ekonomi, perspektiven europiane të Ballkanit, çështjet e pazgjidhura të Shkupit me Sofjen dhe Open Balkan.

Panchev: Nuk pajtohemi me gjuhën e ashpër të kryeministrit shqiptar sepse Bullgaria e ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë jo vetëm në rrugën drejt BE por edhe në nisma dhe projekte të tjera. Bullgaria nuk ka asnjë faj, ajo ndihmon komunitetin bullgar në Maqedoninë e Veriut, duhet të përfshihet në Kushtetutën e këtij vendi. Nuk kemi faj që Rama ka zgjedhur një strategji të gabuar dhe ka lidhur fatin e Shqipërisë me Shkupin dhe Beogradin. Ai duhet të kërkonte ndarjen që para dy vitesh.

Situatë e tejkalueshme apo ka krisje mes Tiranës dhe Sofjes?

Nuk mund të ketë krisje. Por ne presim një qasje më të moderuar, më të kuptueshme sepse edhe Shqipëria ka probleme të njëjta. Besoj se zoti Rama i mbron të drejtat e shqiptarëve në Ballkan, Luginën e Preshevës ku Serbia për fat të keq bën një spastrim etnik në heshtje, pasivizon adresat. Pastaj kemi problemin çam. Ne shpresojmë që kryeministri shqiptar do të kuptojë dhe qëndrimin bullgar. Ne thjesht dëshirojmë të mbrojmë të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.

Çfarë kërkon Sofja nga Shkupi?

Bullgaria kërkon thjesht përfshirjen e komunitetin bullgar në Kushtetutën e këtij shteti, amendamentin 4 ku janë komunitetet e tjera. Pastaj kërkon mbrojtjen e të gjithë të drejtave të komunitetit bullgar sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Maqedonisë së Veriut, të drejtat që janë të lidhura me çështjet e identitetit, personalitetet historike, monumentet. Të ndërpritet gjuha e urrejtjes ndaj Bullgarisë.Të reformohet Maqedonia e Veriut që të mos ketë një doktrinë  raciste ku bullgarët paraqiten si mongolë. Të respektohet Traktati i Miqësisë i vitit 2017, të gjitha çështjet historike mes nesh duhet të zgjidhen mbi Traktatin e Miqësisë, dokumentet relevante të BE, mbi burimet dhe dokumentat autentikë.

Heqja e vetos bullgare

Kuvendi bullgar autorizoi qeverinë bullgare që të zhvillojë bisedimet me Shkupin për të nënshkruar një protokoll dypalësh ku të jenë të gjitha garancitë dhe afatet konkrete sepse ne kemi pritur shumë Shkupin dhe kërkojmë garanci se kemi mosbesim. Është radha e Shkupit ti përgjigjet në mënyrë pozitive propozimit francez dhe do të zgjidhim këtë kontest.

Marrëdhëniet Sofje-Tiranë

Për fat të keq nuk kemi një partneritet strategjik sepse ne mund të bëjmë shumë projekte të përbashkëta në fushën e infrastrukturës, eknomisë por jo vetëm. Kontaktet në arsim, në shkencë, kulturë. Çdo muaj në Universitetin e Sofjes, Departamentin tonë kemi mysafirë të lartë nga Shqipëria, kemi shumë mbështetje nga Ambasada e Shqipërisë në Sofje, Akademia e Shkencave në Shqipëri dhe Universitete. Bëhen takime, projekte të përbashkëta, projekte studimore dhe mësimore. Kemi bashkëpunim shumë të mirë në fushën e kulturës. Por duhet ta zgjerojmë këtë bashkëpunim në infrastrukturë dhe ekonomi.

Pse kjo ngecje?

Ndoshta fajin më të madhe  ka Bullgaria sepse është në BE, ka më shumë mundësi për fonde, projekte. Në Bullgari deri diku mendoj se ka një pasivitet ndaj Ballkanit Perëndimor përsa i përket çështjeve ekonomike, infrastrukturore. Është pak pasive dhe duhet të ndryshojmë qasjen. Duhet të lidhim infrastrukturën. Kemi disa probleme gjeopolitike. Në Shkup ende dominon elita politike post-jugosllave, proserbe. Ka hezitim për zhvillimin e Korridorit 8, hekurudhën. Duhet ti tejkalojmë këto probleme.

Çfarë i pengon Bullgarisë një elitë proseve në Shkup?

Nuk jemi kundër zhvillimit të kontakteve mes Shkupit dhe Beogradit por problemi është se Serbia ende nuk është reformuar si duhet. Të gjitha vendet në Europën qëndrore dhe lindore kemi pasur një tranzicion më të shpejtë apo më të ngadaltë, por u transformuam në një mënyrë. Për fat të keq në Beograd ende sundon një regjim që është vazhdim i regjimit të Millosheviçit. Kemi shumë prova. Vjet ministri i Jashtëm serb mburrej në mënyrë të hapur se Millosheviçi paska qenë një lider, një burrë shteti. Nuk mund të pranojmë që Serbia ka një qasje shumë agresive ndaj Kosovës, ndaj Malit të Zi, ndaj Bosnjes. Rrezikon integritetin territorial, sovranitetin e këtyre vendeve. Ende për fat të keq në Beograd dominojnë mendimet e vjetra, shoviniste që janë rrezik për Ballkanin.

Ballkani i Hapur

Nuk ka asgjë të keqe kur ka mundësi që të zhvillohen kontaktet në tregti, ekonomi, infrastrukturë. Por për fat të keq vërejmë disa sinjale nga Beogradi, bëjnë përpjekje të transformojnë këtë projekt në një projekt politik, në kundërshtim me Procesin e Berlinit, BE. Pamë deklaratat e Ramës, Vuçiç dhe Kovaçevskit nuk do shkojmë në Bruksel, pastaj Rama tha mos i bëni presion Serbisë për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Po shohim ca mesazhe politike që na shqetësojnë sepse anëtarësimi në BE, rruga euroatlantike nuk mund të ketë asnjë alternativë.

Ngecja e Korridorit 8

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria e kanë fajin. Autostrada në Shqipëri është afër kufirit me Maqedoninë e Veriut.  Hekurudha nuk është. Kemi fonde nga BE por ka ngecje dhe Sofja ndoshta e ka fajin më së shumti në këtë pikë. Ka premtime 2027, 2030. Kur nuk ka ndodhur në 30 vjet nuk besojmë se mund të ndodhin zhvillime pozitive në një afat të shkurtër.

Perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor

Sipas meje anëtarësimi në BE duhet të varet nga arritjet dhe meritat e secilit shtet sepse nuk mund të përdorim argumente gjeopolitike për të ngadalësuar apo përshpejtuar procesin e eurointegrimeve. Secili shtet ka rrugën e vet dhe duhet të vlerësohet sipas meritave. Nuk duhet të ketë përfitime, nuk duhet të ketë ide gjeopolitike. Thjesht duhet të jetë një proces që bazohet mbi vlerat dhe arritjet e shteteve që aplikojnë për anëtarësim.

A mund ti tejkalojnë problemet Sofja dhe Shkupi?

Gjithësesi Tirana duhet të ndahet. Do kemi shumë probleme me Shkupin. Kemi një përvojë tepër të hidhur, premtojnë 30 vjet dhe nuk bëjnë asgjë. Me qeverinë aktuale në Shkup ka shpresa, ka një mirëkuptim për kërkesat bullgare por lideri i partisë më të madhe opozitare para një jave tha në Shkup se nuk do të votojnë për përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë. Pas propozimit francez zyrtarisht ky është qëndrimi i BE. Shkupi dhe Maqedonia e Veriut duhet të përmbushin kërkesat bullgare se janë legjitime, në përputhje të plotë me normat e BE. Shkupi në një moment do të ndodhet në pozitë të vështirë përballë BE nëse nuk ka arritje në afatet e përcaktuara.

Pozicionimi i faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut

Kur janë në opozitë partitë shqiptare i kuptojnë mirë kërkesat bullgare. Tani kemi zotin Sela që i ka pranuar proceset bullgare. Por BDI në pushtet thotë se ne mbështetim përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e vendit por kanë dhe një qëndrim që është në përputhje deri diku me Shkupin zyrtar. Është e kuptueshme. Ministri i Jashtëm Osmani është figura qëndrore në proces. Edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë vuajtur shumë nga diskriminimi, mohimi i të drejtave deri në 2001. Kishin një konflikt për shkak të mohimit të të drejtave të shqiptarëve atje. Është e kuptueshme që faktori shqiptar ka një mirëkuptim për kërkesat bullgare, por nga ana tjetër nuk mund të zemërojnë dhe partitë maqedonase. Duhet të veprojnë sëbashku që mos të ketë ndonjë konflikt.

E ardhmja mes Tiranës dhe Sofjes

Nuk shoh që në ekonomi mund të kemi ndonjë bashkëpunim shumë të fortë. Për arsye të ndryshme Bullgaria është e lidhur shumë me vendet në Perëndim në fushën e ekonomisë, me Rusinë ndonëse tani bëjmë përjekje që të heqim dorë nga varësia energjitike ndaj saj. Por sërish marrëdhëniet politike, kulturore do të përforcohen më shumë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat