Rama “nxiti” kallëzimet ndaj drejtësisë. 113 kallëzime në një vit e gjysmë kundër SPAK, prokurorëve e gjyqtarëve

Shqipëria

Rama “nxiti” kallëzimet ndaj drejtësisë. 113 kallëzime në një vit e gjysmë kundër SPAK, prokurorëve e gjyqtarëve

Më: 26 qershor 2022 Në ora: 18:10
SPAK

"Ata të cilët i kanë të rreshtuar vilat, njërën ma fali vjehrra, njërën ma fali baxhanaku, njërën ma fali një kurshëri i vjehrrës, njërën ma fali babai i gruas që para se të vdiste tha: Aman shtëpinë time dhe tokat e mia do t'ja lini këtij dhëndri. Kishte 7 dhëndurë po këtë gjeti sepse ky ishte më i ndershmi. Këta janë të gjithë sot e gjithë ditën duke pritur finalen e Champions Leage për të shkuar në Paris."

Kjo deklaratë e kryeministrit Edi Rama më 7 maj, duket se ka inkurajuar kallëzimet ndaj përfaqësuesve të drejtësisë në çdo nivel të saj. 

Nga një interesim i Rtv "Ora News" në të gjitha prokuroritë e vendit rezulton se gjatë vitit 2021 dhe gjysmës së 2022-it, janë depozituar plot 113 kallëzime penale ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Në pjesën më të madhe të kallëzimeve rezultojnë qytetarët, biznesi, avokatët dhe në shumë pak raste kallëzues janë institucionet shtetërore.

113 kallëzimet e rregjistrura janë të shpërndara në 19 prokurori të ndryshme. Ndërsa pjesën më të madhe të dosjeve ndaj këtyre subjekteve e ka prokuroria SPAK.

Jashtë hetimit të këtyre kallëzimeve, nuk ngelet dhe prokuroria e Përmetit,e cila aktualisht ka të rregjistruara dy kallëzime penale për "Shpërdorim detyre" ndaj gjyqtares së Gjirokastrës Suela Dashi dhe Suela Xhanit gjyqtare në Sarandë.

Ndërsa një gjyqtare e Përmetit, Yrvete Shkreli, është kallëzuar nga drejtuesi i prokurorisë së këtij qyteti,Asllan Bajrami, pasi gjyqtarja rezultoi në përgjime se nxirte sekretin hetimor,duke informuar personin nën hetim mbi lëvizjet hetimore që kryente prokurori.

Ndërsa Klodiana Gjyzari, ish-gjyqtarja e Apelit Vlorë dhe një prokuror i Gjirokastrës i shkarkuar së fundmi nga Vetting dhe i kallëzuar nga ILDKPI, janë nën hetim nga prokuroria e Tiranës për fshehje të pasurisë.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në një rast kallëzoi publikisht në SPAK, gjyqtaten e Tiranës, Klorinda Çela, për abuzim në vendimarje e saj, duke sjellë bllokimin e një investimi publik që i shërben qytetarëve të Tiranës.

Nga burime pranë ministrisë mësohet  se pas fjalimit kritik të Ramës, pritet që në muajin Tetor-Nëntor, zyra antikorrupsion pranë kësaj ministrie, të paraqesë në SPAK dhjetëra kallëzime penale ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat