Përplasi me makinë 13-vjeçarin/ Shpallet në kërkim nënkomisari në Pogradec, nën hetim vëllai që donte të merrte përsipër ngjarjen

Shqipëria

Përplasi me makinë 13-vjeçarin/ Shpallet në kërkim nënkomisari në Pogradec, nën hetim vëllai që donte të merrte përsipër ngjarjen

Më: 29 qershor 2022 Në ora: 18:30
Foto ilustrim

Një nënkomisar në policinë e Pogradecit është shpallur në kërkim nga kolegët e tij, pasi kamerat e sigurisë nxorën se ka qenë shoferi që një ditë më parë, përplasi me makinë një 13-vjeçar dhe u largua nga vendngjarja.

Ndaj shtetasit me iniciale A.A. rëndojnë akuzat “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Pasi është aksidentuar i mituri me iniciale O.S., para efektivëve është paraqitur si drejtues i mjetit shtetasi me iniciale M.A., vëllai i nënkomisarit. Ndaj këtij të fundit ka nisur hetimi për veprat penale “Deklarata e rremë para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Njoftimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore:

Drejtoria Rajonale e AMP Korçë ka referuar materialet e para hetimore në Prokurorinë Pogradec, si edhe ka bërë shpalljen në kërkim për punonjësin e policisë N/komisar A. A., i dyshuar për “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, parashikuar nga neni 290 dhe 273 i Kodit Penal.

Nga veprimet e para rezulton se punonjësi i policisë, më datë 28.06.2022, duke drejtuar automjetin e tij, ka aksidentuar shtetasin e mitur O.S., 13 vjeç, i cili pasi ka marrë mjekim në spitalin Korçë është larguar për në banesë.

Gjithashtu, pas mbërritjes së shërbimeve të policisë në momentet e para të aksidentit, si drejtues i mjetit është paraqitur shtetasi M. A. (vëllai), por nga këqyrja e pamjeve filmike është provuar si drejtues i mjetit, punonjësi i policisë, A.A.

Sa më sipër, pas veprimeve hetimore në konsultim edhe me prokurorin e gatshëm, u referuan materialet në gjendje të lirë për shtetasin M. A., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Deklarata e rremë para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 dhe 305/b të Kodit Penal.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat