“Berisha i vdekur dhe i pakallur”, Rama lëshon gojën

Shqipëria

“Berisha i vdekur dhe i pakallur”, Rama lëshon gojën

Më: 2 korrik 2022 Në ora: 12:47
Edi Rama dhe Sali Berisha

Kryeministri Rama dhe kryefoltoristi Sali Berisha janë përplasur ashpër në distancë ditën e djeshme. Teksa kreu i qeverisë foli për shifrat e INSTAT lidhur me emigrimin, ku tha se janë sa gjysma e shifrave që është akuzuar qeveria e tij, hodhi akuza ndaj Sali Berishës. Rama shtoi se “i vdekuri i pakallur” duhet të shmanget, ndërsa u shpreh se probleme me largimet e qytetarëve kanë edhe vende të tjera. Sipas Ramës nëse këto që po bën qeveria e tij, do të ishin bërë më parë Shqipëria do të ishte në një situatë ndryshe. “Është një problem i të gjitha vendeve. Me përjashtim të një numri të vogël vendesh. Shikoni shifrat e Kroacisë. Kjo kërkon kohën e vet. Mund të jetë shumë më e shkurtër. Po të ishin bërë më kohë gjërat që ne po i bëjmë sot do flisnim për të tjera shqetësime. Se shqetësime ka edhe ne Francë dhe Holandë. Por nuk u bënë. Ne jemi një vend që sot kemi akoma vërdallë hijen e një të vdekuri të pakalluri që torolis vendin. Po të ishte bërë Reforma në Drejtësi para 20 vjetësh apo Territorialja. Sot do ishim situatë tjetër. Kohën nuk e kthejmë dot. Receta iluzionesh dhe të vdekur që vijnë vërdallë këto duhet të shmangim ne”, tha Rama.

7 korriku, është vetëm fillimi i kaosit

Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha ka kërcënuar kreun e qeverisë se 7 korriku është vetëm fillimi i kaosit. “Edi Ramës i them se ky është vetëm fillimi. Edvin, 7 korriku është vetëm fillimi. Të garantoj dhe dije se fjala ime është fjalë. Është vetëm fillimi pasi ka tejkaluar çdo vijë të kuqe në qëndrimin cinik ndaj qytetarëve shqiptarë me qëndrimet e tij me faktin që çdo firmë që lëshon ka një vjedhje”, tha ai.  Sali Berisha thotë se protesta kombëtare në rrugë dhe sheshe është e vetmja alternativë përballë atij që ai e quan regjim autokratik e kleptokratik të Edi Ramës. “Do ishte një frymëzim i madh për protestën. PD ka bërë thirrje dhe bën thirrje për hapjen e negociatave. Po pse? Sepse në procesin e negocimit, fuqia e BE-së do mund të ndihmojë shumë më fuqishëm në rrënimin e regjimeve autokratike. Sot ka një konsensus universal që regjimi i Tiranës është një autokraci elektorale. Hapja e negociatave do e motivojë edhe më shumë protestën”, tha Berisha.

Berisha kundër legalizimit të kanabisit

Në lidhje me legalizimin e hashashit, ish-Kryeministri akuzoi Ramën se po zbaton doktrinën shkatërrimtare të Sorosit. “Kategorikisht kundër. Për PD-në, legalizimi i kanabisit është krim dhe vetëm krim. Kjo do të thotë të shpallësh veten Eskobar i Europës. Edi Rama e bën këtë në zbatim të doktrinës së George Soros. Soros është miliarderi që i ka kërkuar OKB-së, së bashku me një president të Amerikës Latine, që të ndërpritet çdo lloj lufte kundër drogave, paçka se në SHBA vdesin çdo ditë 273 persona nga droga”, tha ai.

Kreu i “Foltores”: Oligarkët të “shpëtojnë” nga Rama

Ai akuzoi se edhe pas një projekti për të hapur e rijetëzuar Pallatin e Brigadave qëndron ambicia për të ndërtuar në një zonë të mbrojtur pranë parkut të Liqenit. “E morët vesh ju, pas Butrintit i erdhi radha Pallatit të Brigadave. Që është një trashëgimi kulturore shumë e rëndësishme. Qëllimi i Ramës është shkatërrimi de facto i këtij parku. Nuk është çudi kur të shohim kulla aty, por Rama nuk do jetë në pushtet deri në atë kohë. Nuk do gëzoni pasuri duke e ndarë me Edi Ramën dhe njerëzit e tij. Ky është një zotim solemn. Këto akte kriminale nuk do mbeten pa përgjigje. Tërhiquni, mos vidhni me Edi Ramën. Mos u bëni bashkëvjedhës me Edi Ramën dhe ministrat e tij. Ky njeri nuk do i shpëtojë dot ligjeve të vendit dhe atyre ndërkombëtare”, tha Berisha.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat