Fati i Xhaçkës në Kushtetuese, PS rrëzon kërkesën e PD për t’i hequr mandatin ministres

Shqipëria

Fati i Xhaçkës në Kushtetuese, PS rrëzon kërkesën e PD për t’i hequr mandatin ministres

Më: 2 korrik 2022 Në ora: 12:49
Komisioni i Mandateve

Në mbledhjen e djeshme në Komisionin e Mandateve, deputetët e Partisë Demokratike kanë kërkuar dorëheqjen e deputetes socialiste, Olta Xhaçka. Kjo pasi sipas akuzave të PD, bashkëshorti i saj Artan Gaçi ka përfituar statusin e investitorit strategjik. Gjatë mbledhjes ata kanë paraqitur provat në të cilat thonë se ligji për investimet strategjike ka hyrë në fuqi në 17 tetor të vitit 2015 dhe vetëm katër ditë më vonë është krijuar shoqëria në pronësi të Artan Gaçit.

Sipas deputetëve të PD, shoqëria në pronësi të bashkëshortit të ministres së Jashtme Xhaçka ka përfituar masën mbështetëse të lejimit të përdorimit të bregut para hotelit me 5 yje në Himarë, me të drejtën për ta përdorur atë për një periudhë 30-vjeçare. Gjatë mbledhjes kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se ministrja nuk ka fituar asnjë qindarkë, madje pyeti përfaqësuesit e PD-së për këtë gjë. Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi se pyetja ishte pa sens pasi jo çdo gjë përkthehet në monedhë.

“Pyetja shumë pa sens. Nuk janë vetëm në monedhë. Zonja, ka përfituar të drejtën e ushtrimit të veprimtarive fitimprurëse. I ka dhënë përdorimin e brigjeve dhe zonës së plazhit për një periudhë 30-vjeçare, është pasuri publike. Se s'besoj se Xhaçka shtron shezlonge dhe i jep falas. Një qytetar që shkon sot e blen bukën paguan TVSH 10%, ndërsa Xhaçka që bën hotele paguan 5%”, tha ai. Por kjo kërkese e demokratëve u rrëzua nga socialistët, ndërkohë që fati i ministres Xhaçka pritet të vendoset në Gjykatën Kushtuese, sikundër paralajmëroi edhe kryeministri Edi Rama dje gjatë një konference për mediat.

PS merr në mbrojtje ministren

Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla deklaroi se ministrja mund të vijë kurdo në komision, vetëm ose të mbrohet nga përfaqësues të tjerë.

“Duhet që kurrë të mos bëni gabimin që të keqcitoni atë që kemi thënë. E hapim proces verbalin se e drejta për t'u dëgjuar është kushtetuese. Ju thatë duhet të jetë  me patjetër, është e drejtë që e vendos vetë, ne e kemi detyrimin që t'i marrim me shkrim. Unë e vlerësoj atë që thatë ju, nuk  mund ta lënë procesin. Unë them se po e ndërpresim këtu, natyrshëm që të bëhet dhe kjo, të mund të vijë vetë deputeti të vijë me përfaqësues të tij, ky është parlamentarizmi, rrini të qetë se procedura duhet të respektohet. Ti e kujton, unë e festoj. Këtu e lëmë”, tha ai.

Ndërkohë, edhe kryeministri Edi Rama ka komentuar kërkesën e PD për t’i hequr mandatin Olta Xhaçkës, pasi e akuzojnë se ka konflikt interesi përmes bashkëshortit të saj si investitor strategjik.

“Vesi del me shpirtin dhe këta që merren me këto punë nuk do ndryshojnë kurrë. Kurrë për fat të keq. Ne jemi shumë mirëpritës dhe mikëpritës për çdo shenjë ndryshimi nga ana e tyre por këta mesa duket nuk do ndryshojnë. Tërheqja zvarrë e kujtdo që u del përpara për të bërë linçime është një praktike që nuk do ndryshojë. Zgjedhja jonë është e thjeshtë dhe rruga jonë është e përcaktuar, ose do bëjmë punët duke qenë të vetëdijshëm që nuk jemi perfekt, kemi edhe ne të metat tona, ose do merremi me këta. E kam të qartë që do minutë e humbur për tu marrë me këta është gjynah i madh. Nuk shoh asnjë problem të natyrës së ngritur në këtë furtunë në gotë. Megjithatë le ta gjykojnë institucionet”, tha Rama dhe gjatë një konference.  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat