Berisha: Rama, tellall i Beogradit e vasal i Vuçiqit – Ballkani i hapur është ‘Ballkani i Putinit’

Shqipëria

Berisha: Rama, tellall i Beogradit e vasal i Vuçiqit – Ballkani i hapur është ‘Ballkani i Putinit’

Më: 7 korrik 2022 Në ora: 17:22 Përditësuar në ora: 21:45 më 07.07.2022
Sali Berisha

Berisha: Ballkani i Hapur është ‘Ballkani i Putinit’. Shqiptarët i thonë ‘Po’ Procesit të Berlinit

"Jo Ballkanit të Hapur! Po Procesit të Berlinit"!

Kryetari i PD, Sali i Berisha i përcolli një tjetër mesazh të fortë Edi Ramës nga protesta para Kryeministrisë. 

"Ballkani i Hapur është Ballkani i Beogradit dhe Putinit", tha Berisha. 

"Kur kryetari i qeverisë së vendit tënd bëhet tellall i Beogradit, kur ai fut sherre te fqinjët me gjuhën dhe fjalorin e tij, kur ai shndërrohet në një vasal të serbomadhit Vuçiç, kur ai rrethon Kosovën me tensione e konflikte, kur ai nuk ka interesa shqiptare por të parat ka interesat e Beogradit, atëherë nuk mund të rrimë pa i thënë: "Edi Rama, populli opozitar, shqiptarët patriotë kudo që janë, do t'i thonë 'Jo' Ballkanit të Hapur, 'Jo' Ballkanit të Beogradit, 'Jo' Ballkanit të Putinit. Do t'i thonë 'Po', Procesit të Berlinit, Ballkanit të Brukselit, rrugës tonë drejt Europës", u shpreh Berisha. 

Berisha-Ramës: Ndërtove sarajet e Surrelit me 3 mijë € të deklaruara! Vjedhje 420 mln euro me inceneratorët

Kreu i PD Sali Berisha deklaroi nga protesta para kryeministrisë se do të luftojnë deri në fund për fjalën e lirë. Kreu i selise blu akuzoi kryeministrin Edi Rama për vjedhje të shumëta duke përmendur inceneratorët dhe abuzimet me ndërtimin e rrugëve.

Berisha tha se sarajet e Surrelit i ka përfituar duke vjedhur paratë e shqiptarëve ndërsa shtoi se së bashku me Agaçin, Veliajn, Ahmetajn e Kokën kanë përfituar miliona euro.

"Nuk do doja kurrë nga kjo platformë të flisja për hajdutë dhe vjedhës, mirëpo, më thuaj pak zotërote, çfarë të të them kur sarajet e surrelit, pallatin në pajë i ke ndërtuar kur kishe të deklaruara 4 mijë euro, nga të ranë ato para?

Nga qielli? Njëherë para emigracioni, e njëherë the para nga familja, Edi Rama çdo qindarkë e tyre është hajni.

Ndërtuesi i tyre para një muaji fitoi tenderin i vetëm në garë me 99.9 për qind të vlerës, 11 mln euro por këto zotërote janë vetëm kafetë, sepse ti me firmat e tua nuk i ke gjë 10-shet.

Edi Rama me firmat që ke vendosur për djegësat që shkojnë në 420 mln euro, me Agaçin e Ahmetajn, Veliajn e Kokën përvetësuat deri tani 120 mln euro.

Këto ditë doli se nga 60 mln euro të dhëna për djegësin e Tiranës, s’është ndërtuar asgjë. Paratë janë fshehur në konto pensionistësh që nuk dinë asgjë se ekzistonin ato.

Skandali i djegësave është më i madh, por po kaq të mëdha janë paratë e transferuara nga ndërtimi, të vjedhura nga ndërtimi i rrugëve.

I thuaj shqiptarëve si ka mundësi, 7 km në autostradën Ibë-Farkë kanë kushtuar sa 10 km tuneli i Krrabës dhe 20 km autostradë Krrabë-Elbasan.

30 mln euro kilometri, dyfish i kilometrit në tunel. Ku i çuat paratë? Si i vodhët ato? Janë të pafundme rastet.”-tha Berisha.

Berisha-Ramës: Betohem në flamur, nuk ta fal votën dhe pushtetin e vjedhur

Votën kurrë nuk ta falim dhe pushtetin mbi votën e vjedhur kurrë nuk ta njohim.

Kështu u shpreh kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në protestën e zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së Kryeministrisë.

“Edi Rama, jemi këtu për t’u betuar për këtë flamur, për t’u betuar para flamurit të kombit, se votën kurrë nuk ta falim, pushtetin mbi votën e vjedhur kurrë nuk ta njohim. Harroje. Mos luaj me votën sepse jemi të vendosur, të mos pranojmë kurrë, të bëjmë çdo sakrificë që burrat, gratë, djemtë dhe vajzat të votojnë të lirë”, theksoi kryedemokrati.

Protesta ka moton “Shqipëria në rrezik, mos thuaj ç’më duhet mua”. Dyert e godinës së Kryeministrisë dhe të Kuvendit janë blinduar.

Mbi 1000 efektivë të policisë janë të angazhuar në terren mes të cilëve forca të rendit, të Ndërhyrjes së Shpejtë, repartit Shqiponja dhe punonjës të Gardës.

‘Jemi armiq’, Berisha i drejtohet Ramës nga protesta para Kryeministrisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se ai dhe kryeministri Edi Rama janë armiq me njëri-tjetrin.

Gjatë fjalës së tij në protestën para godinës së Kryeministrisë, Berisha u shpreh se Rama e do pushetin për të varfëruar shqiptarët.

Berisha theksoi ndryshe nga Rama, ai ka ideal lirinë për t’i kthyer dinjitietin qytetarëve.

“Edi Rama, ne të dy sot jemi armiq. Po pse jemi armiq? E rëndë, e hidhur të them këtë fjalë, por zemra ime fjalë tjetër nuk nxjerr sepse ti Edi Rama, ke për ideal pushtetin, pushtetin dhe vetëm pushtetin, kursë unë me këto burra e gra kemi ideal vetëm lirinë.

Ne jemi armiq Edi Rama sepse ti, pushtetin e do për të pasuruar veten, për të varfëruar qytetarër, për të poshtëruar qytetarët. Kurse unë dhe këta qytetarë këtu, lirinë e duan për të bërë të lirë shqiptarët dhe për t’i kthyer dinjtitetin”, theksoi kryedemokrati.

Protesta ka moton “Shqipëria në rrezik, mos thuaj ç’më duhet mua”. Dyert e godinës së Kryeministrisë dhe të Kuvendit janë blinduar.

Mbi 1000 efektivë të policisë janë të angazhuar në terren mes të cilëve forca të rendit, të Ndërhyrjes së Shpejtë, repartit Shqiponja dhe punonjës të Gardës.

Berisha hipën në Foltore: Rama ka të gjitha pushtetet, por sot ia mbathi, koha e tij e numëruar

Nga bulevardi para Kryeministrisë, kreu i demokratëve, Sali Berisha u shpreh se sot të gjithë janë bashkuar me frontin e shpëtimit të Shqipërisë.

Ai tha se ashtu si 32 vite më parë kur diktatori i fundit kishte në dorë të gjitha pushtetet, sot pasardhësi i tyre Edi Rama ia mbathi me gjithë se ka të gjitha pushtetet.

Berisha: Sot të gjithë jeni bashkuar me frontin e shpëtimit të Shqipërisë, zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja. Mirënjohje për ju që jeni bërë një burim drite dhe shprese për mbarë shqiptarët, sonte më shumë se kurrë. Ju erdhët nga të katër anët në këtë bulevard sepse jeni ju thirri ora e lirisë këtu dhe e Shqipërisë.

Shqipëria në rrezik ishte kushtrimi që ju ngriti ju në këmbë për ta shpëtuar atë. Ju nuk pranoni më që qytetarët shqiptarë të jenë qytetarë të dhunuar. 32 vite më parë kur ne themeluam partinë e parë opozitare, diktatori i fundit kishte në dorë të gjitha pushtetet, sot pasardhësi i tyre Edi Rama ia mbathi me gjithë se ka të gjitha pushtetet, ai ka vendosur monizmin e plotë. Koha e tij është e numëruar.

Kryemadhi nga protesta: Rama vegël qorre e grupeve anti-shqiptare, të mblidhemi të gjithë për shpëtimin e Shqipërisë

Monika Kryemadhi e cila i është bashkuar protestës para Kryeministrisë, u ka bërë thirrje të gjithëve që të  bashkohen kundër  Ramës

Kryemadhi:  Mirëmbrëma Tirana e bukur që Erion Veliaj e ka errësuar.  Edi Rama pronarë I incineratorëve me avoaktin e tij Erion Veliaj, paratë tuaja i fusin në xhepin e tyre dhe ju ju nxjerrin të përballeni me familjarët tuaj. Ju jeni ata që na jepni forcë për ta përballur këtë situatë. Edhe ju vuani siç vuajnë ata që ju prishin shtëpitë, në Paskuqan ‘ 5 maj’ Kombinar. Ne sot japim mesazhin se i vetmi flamur është flamuri jonë shqiptarë.

Ky flamur që në fushën e tij ka gjakun e mijëra shqiptarëve që dhanë jetën për Shqipërinë, u betuan për këtë vend. Ky Flamur sot është motive ynë më i madh për Shqipërinë tonë evropiane, për Shqipërinë e e luftëtarëve.

Ky Flamur sot më shumë se kurrë, ka rëndësinë më të madhe sepse këtë flamur Rama me “Open Balkan’ kërkon që ta çnderoj. Misioni ynë është që të valvisim këtë flamur dhe të kthejmë të rinjt dhe të rejat në Shqipëri. Sot më shumë se kurrë ky bulevard po jep shpresën shqiptarëve.

Detyra e opozitës është që të mos zhgënjej shqiptarët siç i zhgënjyem një vit më parë. Sot opozita dhe shoqëria civile, socialistë të mblidhen për të shpëtuar Shqipërinë. Shqipëria sot është në rrezik, jo sepse Rama është kryeministër, por sepse Rama është një vegël qorre e grupeve anti-shqiptare. Rama siç shiti Kosovën po shet sot dhe Shqipërinë.

Rebani Jaupaj me uniformë ndjek nga afër protestën e opozitës

Protesta e opozitës para kryeministrisë po mbikqyret nga 1200 sy të policisë së shtetit.

Madje në shesh u panë drejtuesit më të lartë të saj.

Rebani Jaupaj, drejtori për rendin dhe sigurinë në policinë e shtetit ishte pozicionuar në krah të godinës së Kryeministrisë duke ndjekur nga afër protestën.

“Rama ik” Këlliçi: Ta dëgjojë deri në Vlorë, iku dhe mori kërpudhën sepse ka frikë nga ju!

Nga bulevardi para Kryeministrisë, deputeti Belind Këlliçi u shpreh se protestuesit vijnë në Tiranë, por në fakt Rama ia mbath sepse nuk do t’i shohë ata në sy.

Këlliçi tha se kjo banda e cila është sot në krye të Shqipëri është pronarja e incineratorëve dhe Rama e Veliaj në krye të kullave dhe të investitorëve strategjikë.

Këlliçi: Dua të dëgjoj “Rama ik”. Ta dëgjojë Rama deri në Vlorë. Ju vini në Tiranë, ai ia mbath nga Tirana sepse është frikacak që i ikën të vërtetës. Iku dhe mori edhe kërpudhën me vete. Një burrë shteti do të kishte qëndruar këtu, por ia mbathi sepse i tillë është. Shqipëria sot është në rrezik dhe po asfiksohet.

Kjo banda e cila është sot në krye të Shqipëri është pronarja e incineratorëve dhe janë në krye të kullave dhe të investitorëve strategjikë. Janë këta që kanë larguar mjekët dhe të rinjtë. Rama dhe Veliaj po i nxjerrin sytë njëri-tjetrit që kanë blerë PS-në me lejet e ndërtimeve dhe incineratorëve.

Protesta, Vokshi: Sot ditë e mirë për demokracinë, por e keqe për Ramën dhe qeverinë e tij

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka mbajtur një fjalim në protestën e organizuar këtë të enjte përpara Kryeministrisë. Ajo u shpreh se dita e sotme është e mirë për demokracinë, por jo për Kryeministrin Edi Rama.

“Të dashur qytetarë nga e gjithë Shqipëria kam qenë në shumë protesta, por kjo është me e madhërishmja dhe më emocionuesja. 

Sot është një ditë e mirë për demokracinë. Sot është një ditë e keqe për Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Është dita që ti themi Ramës, nuk na gënjen dot, nuk na blen dot, nuk na tremb dot, largohu. Sot nisim një rrugë vetëm me një drejtim”, tha Vokshi.

Opozita para zyrës së tij, Rama i bën “konkurrencë” protestës, lajmëron live nga Bypassi i Vlorës

Duket se Kryeministri Edi Rama ka vendosur që t’i bëjë karshillëk dhe konkurrencë protestës së opozitës para kryeministrisë sot.

Ai ka lajmëruar se pas pak do të dalë live në hapjen për qarkullimin e automjeteve të Bypass-it të Vlorës.

Ndërkohë në bulevardin para zyrës së tij mijëra demokratë dhe protestues janë mbledhur kundër qeverisë së tij dhe kërkojnë dorëheqjen e Ramës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat