Elbasani, qytet ku demonstrohet forca/ Meta: Policia e mpirë nga lidhjet e qeverisë me krimin, specialiteti i saj mbledhja e gëzhojave

Shqipëria

Elbasani, qytet ku demonstrohet forca/ Meta: Policia e mpirë nga lidhjet e qeverisë me krimin, specialiteti i saj mbledhja e gëzhojave

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 20:33
Ilir Meta

Ilir Meta u ndal mbrëmjen e sotme në Elbasan për një takim me strukturat e Partisë së Lirisë atje.

Vizita e tij vinte vetëm një ditë pasi qyteti u trondit nga vrasja me armë zjarri e 33-vjeçarit Madrid Ulqinaku ndaj dhe çështja e rendit dhe sigurisë ishin kryefjalë e diskutimit të tij.

Meta tha se Elbasani për fat të keq nga një qytet i njohur për tolerancën dhe dashurinë për artin e kulturën është kthyer në një qytet të demonstrimit të forcës nga grupet kriminale.

Përgjegjës për këtë bëri qeverinë dhe kryeministrin Rama.

Meta: Elbasani, një qytet i njohur në gjithë Shqipërinë për tolerancën, qytetarinë, për dashurinë për artin, kulturën, për muzikën, arsimin është kthyer në një qytet të demonstrimit të forcës, të dhunës dhe të viktimave pa fund. Kjo është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e qeverisë dhe kryeministrit aktual si një nxitës për përfitime partiake-elektorale përveçse ekonomiko-financiare të grupeve të të fortëve dhe të nënshtrimit të shtetit, të policisë, të prokurorisë, të agjencive ligjzbatuese para tyre.

Qytetarët e Elbasanit kanë qenë shpesh dëshmitarë, jo vetëm ata por qytetarët e gjithë Shqipërisë, nga tronditje të mëdha që i kanë ardhur rendit publik, sigurisë publike dhe qytetare. Në 24 orë tre atentate në Shqipëri, 4 viktima përfshirë këtu dhe Elbasanin. Në 8 muaj 40 e ca atentate, dhjetëra të vrarë, dhjetëra të plagosur.

Specializimi i policisë kohët e fundit është mbledhja e gëzhojave. Jo se policët janë të paaftë por sepse policia është e mpirë për shkak të lidhjeve të krimit me politikën. Në rast se polici bën detyrën ka pasoja për bërjen e detyrës. Këtu promovohen ata që nuk bëjnë detyrën dhe për fat të keq bëhen dhe pjesë e rivaliteteve mes grupeve të tilla që kanë tronditur qytetet tona dhe vendin tonë.

Jo vetëm kaq, kanë tronditur dhe Europën me lidhjet e tyre andej dhe me mbështetjen që kanë këtu të shtetit dhe qeverisë. Ky është një problem i madh për të ardhmen e Shqipërisë në BE dhe një kosto dhe për çështjen e liberalizimit të vizave të Kosovës me BE për fat të keq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat