Goditet grupi i shpërndarësve të drogës në Bulqizë, arrestohen tre të rinj. Sekuestrohen kanabis, armë e mallra kontrabandë

Shqipëria

Goditet grupi i shpërndarësve të drogës në Bulqizë, arrestohen tre të rinj. Sekuestrohen kanabis, armë e mallra kontrabandë

Më: 14 shtator 2022 Në ora: 12:08
Foto ilustrim

Goditet grupi kriminal që ushtronte veprimtarinë e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza në Bulqizë. Sekuestrohen drogë, armë, mallra kontrabandë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Vihen në pranga 3 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin e koduar “Field”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

I. R., 22 vjeç, F. S., 19 vjeç dhe E. A., 20 vjeç.

Gjithashtu nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. D., 21 vjeç, banues në Bulqizë.
Shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll 2 automjete me të cilat udhëtonin shtetasit e lartpërmendur. Në automjetin që drejtohej nga shtetasi F. S. është gjetur i fshehur një shkop gome si i Policisë, ndërsa pasagjerit në këtë mjet, shtetasit E. A., i janë gjetur të fshehura në trup doza me lënde narkotike canabis sativa.

Në vijim të operacionit është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit I. R., ku janë gjetur dhe sekuestruar rreth 2 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, rreth 150 gramë lëndë narkotike canabis sativa e ndarë në doza, 1 bimë e dyshuar narkotike e kultivuar në tokë dhe 170 kg duhan i ndarë në pako, i dyshuar i kontrabanduar. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit F. S. është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pushkë model 56.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas funksiononin si grup kriminal që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike, në zonën e Fushë-Bulqizës dhe në qytetin e Bulqizës.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat