​Të martën takimi i radhës Shqipëri-Maqedoni e Veriut me BE

Shqipëria

​Të martën takimi i radhës Shqipëri-Maqedoni e Veriut me BE

Më: 26 shtator 2022 Në ora: 14:35
Takimi Shqipëri-Maqedoni e Veriut me BE

Shqipëria është përpara një lëvizjeje tjetër të madhe për parandalimin dhe luftën kundër krimit e terrorizmit.

Ndërsa ka njoftuar mbajtjen e takimeve Shqipëri/Maqedoni e Veriut me Bashkimin Europian në Bruksel përkatësisht të enjten e të premten për kapitullin 24 e të hënë e të martë për kapitullin 23, Komisioni Europian e ka publikuar fokusin e shqyrtimit analitik pikërisht në këtë aspekt duke kujtuar qëllimin që të sigurojnë se kufijtë e hapur e nën kontroll janë të rëndësishëm për qytetarët.

Më herët ambasadorja e Bashkimit Europian që nga Tirana ka apeluar për përparimin drejt shtetit të së drejtës si përcaktues i ritmit të përgjithshëm të bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ritmet e anëtarësimit që krijojnë pritmëri të lartë nëse i referohemi sondazhit të fundit, ku Shqipëria kryeson jo vetëm vendet në pritje ose proces për anëtarësim, por edhe ato anëtare të Be-së, nuk janë deklaruar ende si parashikim nga strukturat në vend.

Pak ditë më parë, ishte kryeministri i Maqedonisë së Veriut Kovaçevski që dha një datë të synuar e kolauduar prej tyre, duke përmendur vitin 2030.

Një proces skrupuloz si ai i bisedimeve për anëtarësim, ku terreni nuk është vetëm hartimi i legjislacionit në përputhje me BE-në, por sidomos strukturat zbatuese e deri tek rezultatet e matura në terren, do të jetë më i lexueshëm kur të çelen kapitujt e parë.

Bazuar në ecurinë e deritanishme, pritmëria është që këto kapituj të çelen për negocim pas një viti. Pa informacione konkrete për kërkesat e Komisionit Europian mbi çështjet e ligjit dhe parandalimit e luftës kundër krimit e terrorizmit në Shqipëri, burime brenda takimit i thanë Televizionit Publik se do të jetë dita e martë ajo që do të konfigurojë plotësisht kërkesat e Bashkimit Europian të shprehura nga Komisioni Europian mbi këto çështje.

Në këtë pikëpamje mbetet në pritje edhe se sa do të jenë dakord Shqipëria e Maqedonia e Veriut me parashtrimet detyruese për zbatim të Komisionit Europian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat