Hakerat: Spiropali, Peleshi dhe Kodheli, të dyshuar për krime! E mohon ministrja dhe policia: Qesharake

Shqipëria

Hakerat: Spiropali, Peleshi dhe Kodheli, të dyshuar për krime! E mohon ministrja dhe policia: Qesharake

Më: 3 tetor 2022 Në ora: 17:11
Elisa Spiropali, Peleshi dhe Kodheli

Grupi i hakerave “HomeLand Justic”e ka publikuar 49 lista me gjeneralitete dhe foto të personave me shtetësi shqiptare, të titulluara “Albanian Suspects”. Në materialet e publikuara, hakerat iraniane pretendojnë se gjenden të dhënat e mbi 105 mijë personave, foto dhe gjeneralitete, të gjithë të dyshuar nga shkeljet më ordinere të ligjit, deri te krimet më të rënda. Sipas HomeLand Justice janë të dhëna të marra nga sistemi MEMEX.

Në një reagim zyrtar policia e shtetit e ka hedhur poshtë këtë pretendim duke theksuar se të dhënat nuk kanë rrjedhur nga sistemi MEMEX.

Duke garantuar se këto të dhëna nuk janë marrë në databazën e sistemit policor MEMEX, uniformat blu theksojnë se deri tani, nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen në këtë sistem, të cilat kanë të bëjnë me punën policore.

“Nga deklarimet e bëra sot në media dhe referimet e këtyre deklarimeve, sipas të cilave janë marrë të dhëna nga sistemi MEMEX, sqarojmë opinionin publik se ky sistem nuk është prekur dhe se këto të dhëna nuk kanë të bëjnë fare me databazën e sistemit policor MEMEX. Policia e Shtetit njofton se, deri në këto momente, nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen në këtë sistem, të cilat kanë të bëjnë me punën policore.“

Mirëpo në listën e haerave vihen re edhe emrat e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, ministrit të Brendshëm Niko Peleshi dhe të Mimi Kodhelit.

Prej tyre ka reaguar vetëm Elisa Spiropali. Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se ky ishte një veprim keqdashës, ndërsa e quan atë që ndodhi qesharake.

“S’ka më jo turp, po as një minimum sensi logjik të kanaleve e të portaleve në raport me publikun, se për ndonjë ndjenjë minimale patriotizmi as bëhet fjalë! Hakerat e një vendi armiqësor me Shqipërinë postojnë lista me emra pa lidhje dhe këtu hidhen gjylet e akuzave absurde! Thotë Saliu lista Memex, vu portalet lista Memex. Përgënjeshtroi Policia nuk është lista Memex, por lajmet e portaleve mbetën.

Shkurt, e hodhën ata një gur në lumë dhe tani o burra të gjejmë ç’lidhje ka Elisa, Niko, Mimi e të tjerë apo edhe disa gazetarë në listën e të dyshuarve të Policisë! Kanë vetëm një lidhje: Lidhjen mes keqdashësisë së atyre që e hedhin gurin dhe ligësisë së atyre që gjoja s’e nxjerrin dot! Qesharake!”, shkruan Spiropali në një postim në Facebook.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat