Shtohet dhuna ndaj grave/ 6 viktima në 11 muaj, më shumë denoncime për sjellje agresive nga burrat

Shqipëria

Shtohet dhuna ndaj grave/ 6 viktima në 11 muaj, më shumë denoncime për sjellje agresive nga burrat

Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 15:38
Foto ilustrim

6 gra kanë humbur jetën gjatë vitit 2022, shifër që tregon rëndimin e situatës që ka të bëjë me dhunën në familje. Për policinë rastet janë në rritje e ato shikohen edhe si një sinjal se masat që synonin zbutjen e këtij fenomeni, nuk kanë dhënë rezultatin e duhur.

Sipas të dhënave zyrtare, nga Janari deri në Shtator të këtij viti në polici kanë mbërritur afro 4200 denoncime ku gratë kanë kallëzuar dhunën nga bashkëshortët. Por ka edhe raste të dhunimit të prindërve nga fëmijët e tyre.

Nga këto denoncime, vetëm 1400 kanë mbërritur në Prokurori. Sa i takon arrestimeve, mësohet se janë 450 dhunues që janë kapur në flagrancë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 vihet re se ka një shtim të akteve të dhunës me afro 140 raste.

Ndryshe paraqitet situata me urdhrat e mbrojtjes. Deri më tani më shumë se 2400 gra janë pajisur me këtë urdhër, 93 më pak se viti i kaluar.

Por nuk kanë munguar as rastet kur bashkëshortët e dhunshëm nuk kanë respektuar vendimin e gjykatës. Mbi 140 persona janë arrestuar pasi kanë shkelur urdhrin e mbrojtjes dhe kanë ushtruar sërish dhunë.

Sa i takon kushteve dhe shkaqeve, policia raporton se shumë prej burrave agresorë janë përsëritës të kësaj vepre penale: pjesa më e madhe e tyre kanë probleme me alkoolin dhe bixhozin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat