Si firmosi Kristaq Rama varjen e poetit Havzi Nela - Bota Sot
Si firmosi Kristaq Rama varjen e poetit Havzi Nela

Shqipëria

Si firmosi Kristaq Rama varjen e poetit Havzi Nela

Më: 21 tetor 2012 Në ora: 08:54

Kristaq Rama, i ati i Edi Ramës ka firmosur dënimin me varje në litar të poetit Havzi Nela, në ditët kur diktatura komuniste po jepte shpirt. Në dokument duket qartë se, Kristaq Rama ka firmosur për dënimin me varje të poetit vetëm për faktin, se ai kishte shkruar poezi që nuk i pëlqenin regjimit. Ky ishte një vendim xhelatësh i firmosur nga Ramiz Alia dhe Kristaq Rama, për dënimin me varje të poetit të njohur më datë 10.8.1988. Poeti Havzi Nela mori një dënim maksimal për fajin e vetëm, se në vargjet e tij kërkonte të drejtat e njeriut. Më 9 gusht 1988, familjarët e Havzi Nelës kërkonin faljen e jetës dhe anulimin e vendimit për ekzekutim me varje të të afërmit të tij, por Presidiumi i Kuvendit Popullor, pjesë e së cilit ishte edhe Kristaq Rama nuk e pranoi. Disa herë, familjarët dhe shtresa e të përndjekurve politikë kanë kërkuar pendesën e djalit të atij që firmosi dënimin me vdekje të Havzi Nelës, por Edi Rama edhe sot e kësaj dite nuk pranon të kërkojë ndjesë për krimin e të atit të tij.
Kjo është tragjedia, e cila ka përfshirë sërisht familjarët e Havzi Nelës, kur 25 vite pas ekzekutimit të tij me firmën e Kristaq Ramës, djali i tij i mashtron për mbështetje ndaj shtresës së të persekutuarve dhe harron të kërkojë falje. Dekreti që dënoi me varje në litar poetin Havzi Nela në ditët kur diktatura po jepte shpirt, mban firmën e Kristaq Ramës, babait të Kryetarit të PS, Edi Rama. Havzi Nela u arrestua më 15 qershor në katundin Brekijë. 15 qershor, ora 12 e mesditës - nis procesi hetimor. 24 qershor 1988 - dënimi i katërt, ose dënimi fatal. 25 qershor - bën ankim pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. 16 korrik - Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Kukës, pas firmosjes që kishte bërë Kristaq Rama. Më 2 gusht, Presidiumi i Kuvendit Popullor miraton vendimin për ekzekutimin e Havzi Nelës. Më 10 gusht 1988, ora 2:00 pas mesnate kryhet ekzekutimi me varje në Kukës, tek stacioni i autobusëve.

Dokumenti

Dokumenti i Ministrisë së Brendshme, që mban firmën e ish-ministrit komunist, Hekuran Isai, mban datën 9 gusht 1988 dhe i drejtohet Degës së Brendshme të Kukësit, së cilës i kërkohet dënimi me vdekje i poetit. Ministria njofton degën e zonës se, Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk i fali jetën të dënuarit. Vendimi ka dhe emrat e firmëtarëve të Presidiumit, mes tyre edhe Kristaq Rama, i ati i kryesocialistit Edi Rama. Emrat e aparatit të Presidiumit Popullor nisin me ish-presidentin Ramiz Alia, Rita Markon, Xhafer Spahiun, Emine Gurin, Sihat Tozajn, Eleni Selenicën, Faik Çinajn dhe vijon më tej me emrat e Kristaq Ramës, Lumturi Rexhës, Petrit Gaçes, Rrahman Hankun, Simon Ballabanin, Sotir Koçollarin, Stefan Qirjakon dhe Terezina Marubin. Të gjitha këta persona kërkuan ekzekutimin me varje të poetit Havzi Nela dhe vetëm disa muaj para rënies së perdes së komunizmit, në një kohë kur familjarët e tij kishin kërkuar faljen e jetës, gjakatarët vendosën ta dënojnë Nelën me varje në mes të qytetit të Kukësit. Mbi të rëndonte akuza e krimeve kundër shtetit për dy herë radhazi, ndërkohë që vendimi përfundimtar ishte varja në litar.

Havzi Nela

Poeti Havzi Nela ka lindur më 1934 në Kollovoz të Kukësit. Ai ishte njëri nga ata njerëz që s'u pajtua asnjëherë me të keqen, që solli dhe po e sillte vazhdimisht regjimi komunist në Shqipëri gjatë viteve të sundimit të tij 50-vjeçar. Më 22 maj 1967, dënohet me l5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, ndërsa bashkëshortja e tij me 10 vjet të lirisë. Më 8 gusht 1975, ridënohet me 8 vjet heqje lirie. 19 dhjetor 1986, lirohet nga burgu. Më 12 tetor 1987 - internohet në Arrën. Fundi i tij është data 11 gusht, kur në orët e para të mëngjesit kryhet vendimi i ekzekutimit me varje i firmosur nga Kristaq Rama, babai i kryetarit aktual të PS-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...