Holokausti/ Balla: Shqipëria, atdheu i dytë për hebrenjtë

Shqipëria

Holokausti/ Balla: Shqipëria, atdheu i dytë për hebrenjtë

Më: 26 janar 2023 Në ora: 11:23
Taulant Balla

Për kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, Shqipëria mund të konsiderohet si një atdhe i dytë për hebrenjtë.

Në seancën e posacme në Kuvend, Balla u shpreh se “në një ditë si kjo e sotmja, ne nderojmë edhe veprën e shkëlqyer, në favor të mbrojtjes me çdo kusht të hebrenjve nga vende të ndryshme të Evropës, të cilëve i’u hap rruga për të ardhur lirisht dhe ligjërisht në Shqipëri”.

Fjala e plotë:

Presidenti i Izraelit duke ju drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me rastin e kësaj seance të posaçme ka sjellë në vëmendje faktin se në Yad-Vashem- muzeu kombëtar i Izraelit dedikuar përkujtimit të Holokaustit, gjenden më shumë se 70 shqiptarë e shqiptare, të cilët rrezikuan jetën e tyre për të mbojtuar hebrenjtë.

Ky fakt është një burim madhështor krenarie kombëtare!

Gjatë shekujve, ne shqiptarët, përjetësisht autoktonë në trojet tona, na është dashur të përballemi me pushtues të shumtë dhe të luftojmë për një kohë shumë të gjatë për lirinë tonë. Por ndërkohë gjatë gjithë këtyre shekujve, Shqipëria ka krijuar një kulturë të veçantë, kombëtare dhe një gjerdan të pasur vlerash, ku ndër to do të nënvizoja mikpritjen, e ilustruar më së miri në kodin tonë: shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut.

Historia e mikpritjes dhe përkujdesjes ndaj komunitetit të vogël hebre të Shqipërisë është ilustrimi më i mirë i këtij kodi. Dokumentet historike kanë treguar se ka ekzistuar një prani hebreje në Shqipëri që nga Shekulli i Dytë, por nga vitet 1930 prania e tyre ishte zvogëluar në vetëm 200 hebrenj. Në vitin 1932, në kohën kur antisemitizmi në Europë ishte kthyer në doktrinë, Shqipëria u bë vendi i parë dhe i vetëm në kontintent që u njohu hebrenjve të drejtën e organizimit në bashkësi dhe legjitimoi shabbat-in. Është rasti i vetëm i diskriminimit pozitiv të hebrenjve gjatë dekadave kur bota lëngonte nga antisemitizmi i përhapur.

Jo rastësisht qysh në vitet 1930 shtypi i Perëndimit e quante Shqipërinë një atdhe të dytë të hebrenjve.
Një meritë të veçantë ka dhe një mik i shqiptarëve i atyre viteve ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Herman Bernshtajn, për instalimin në diplomacinë mbretërore të Shqipërisë të një ndjenje simpatie dhe të një përgjegjësie mbrojtjeje ndaj hebrenjve.

Në një ditë si kjo e sotmja dhe në këtë seancë solemne të përkujtimit të viktimave të Holokaustit, ne nderojmë edhe veprën e shkëlqyer, në favor të mbrojtjes me çdo kusht të hebrenjve nga vende të ndryshme të Europës, të cilëve i’u hap rruga për të ardhur lirisht dhe ligjërisht në Shqipëri.

Ishte kjo qasje e cila mundësoi që brenda më pak se një dhjetëvjeçari pas shpërthimit të urrejtjes anti-semite; numri i hebrenjve në Shqipëri të dhjetëfishohej.

Periudha e dytë e shpëtimit të hebrenjve është ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Jam i bindur që dëshmi të shpëtimit dhe strehimit të hebrenjve ka në çdo zonë që ne si deputetë përfaqësojmë.

Do të doja të sillja si shembull një fshat shumë malor të Librazhdit: Qarrishtë, ku familja Biçaku strehoi 26 hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një dëshmi rrënqethëse dhe kuptimplotë që evidenton mbrojtjen e mikut në çdo rrethanë edhe me jetë.

Faktet janë domethënëse për të ilustruar gjestin e pashoq të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si askund nëpër Europë në fund të luftës numri i hebrenjve ishte shumë herë më i madh sesa para fillimit të luftës.

Populli shqiptar nuk shpëtoi vetëm hebrenjtë e vet, shqiptarët bënë detyrën që ju takonte të shpëtuan hebrenjtë e Europës që trokitën në derën tonë dhe kërkuan besën e shqiptarit.

Sot në Europë vërehet me shqetësim një rritje e tendencave ekstremiste si anti-semitizmi, ksenofobia apo islamofobia. Ishte pikërisht kjo retorikë që çoi në krimet më të tmerrshme kundër njerëzimit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Është momenti të kundërshtojmë me forcë çdo shfaqje ekstremiste në rrjetet sociale apo nga politikanë të caktuar në Europë.
Sëfundmi ne shqiptarët jemi vendosur nën sulme rraciste nga politikanë të caktuar në Britaninë e Madhe apo ekstremistë të djathtë në Parlamentin Europian.

Populli shqiptar përgjatë shekujve ka dëshmuar virtyte të tolerancës fetare dhe bashkëjetesës ndëretnike. Miratimi i përkufizimit mbi antisemitizmin, të përcaktuar nga Aleanca ndërkombëtare për përkujtimin e Holokaustit (IHRA), nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 tetor 2020, përforcoi qëndrimin për të kundërshtuar çdo shfaqje të intolerancës dhe diskriminimit që mund të çojë në akte urrejtje dhe dhune, përfshirë dhe antisemitizmin.

Shqipëria është e palëkundur dhe pa asnjë hezitim e angazhuar në refuzimin dhe kundështimin e anti-semitizmit, në çdo formë dhe manifestim të tij. Sic edhe e thotë Presidenti Herzog, Shqipëria është një aleat i besueshëm në këtë përpjekje të vazhdueshme.

Duke përkujtuar Holokaustin, tmerret e të cilit janë rishfaqur në Europë, me krimet serbe në Bosnjë dhe Kosovë, apo me krimet e ushtrisë ruse në Bucha, Kherson etj, ne u mësojmë fëmijëve tanë dhe i rikujtojmë shoqërisë sonë nevojën e kundërshtimit të cdo forme anti-semitizmi dhe të eliminimit të cdo lloj diskriminimi etnik, rracor, gjuhësor apo fetar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat