“Deti në Hagë”, ambasadorja e Greqisë në Tiranë: Po presim nga pala shqiptare përgatitjen e dosjes së plotë

Shqipëria

“Deti në Hagë”, ambasadorja e Greqisë në Tiranë: Po presim nga pala shqiptare përgatitjen e dosjes së plotë

Më: 6 shkurt 2023 Në ora: 14:44
Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Konstantina Kamitsi

Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Konstantina Kamitsi, tregon prioritetet e punës së saj në këtë mandat. E njohur me Shqipërinë që nga viti 1997, zonja Kamitsi sheh një klimë mjaft të mirë mes dy vendeve dhe dy popujve.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ambasadorja Kamitsi shprehet se çështja e delimitimit të detit mes dy vendeve, e cila do të gjykohet në Hagë, pret përgatitjen e dosjes nga pala shqiptare për të marrë më pas edhe dakordësinë e Presidentit të Republikës. Zonja Kamitsi flet dhe për minoritetin grek në Shqipëri dhe të drejtën e tij për vetëpërcaktim dhe përdorim të gjuhës amtare në pushtetin vendor.

Zonja ambasadore, si e gjeni Shqipërinë bazuar në informacionet tuaja të para, por dhe në lëvizjet tuaj që keni bërë gjatë këtyre javëve për shkak të axhendës?

Ajo që dua t’ju them se ky nuk është kontakti im i parë me Shqipërinë. Kontakti im i parë profesional me vendin ishte gjatë viteve të mia të para në Ministrinë e Jashtme, kur u caktova në departamentin e Shqipërisë në vitin 1997, periudhë kjo tepër e vështirë për vendin. Nga kontaktet që kisha, vlerësova veçanërisht popullin shqiptar, i cili me insistim, durim, inteligjencë, arriti jo vetëm të kapërcejë krizën, por edhe të krijojë kushte për një jetë dinjitoze, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj, si për shembull në vendin tim.

Gjatë gjithë këtyre viteve e deri më sot, pata rastin të njoh dhe të zhvilloj marrëdhënie miqësore, madje edhe familjare, me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Greqi dhe të konstatoj dëshirën e këtyre njerëzve drejt përparimit dhe mirëqenies së familjeve të tyre në një kuadër parimesh që përshkon tradicionalisht familjen shqiptare: kuadër tepër i njohur edhe tek ne në Greqi. Ndihem veçanërisht e gëzuar që gjendem sot në Shqipërinë mike e ku ndihem si në shtëpinë time, pas aplikimit që kam bërë unë vetë. Me Shqipërinë na lidhin shumë gjëra dhe në të gjitha nivelet, qoftë për sa i përket historisë, qoftë edhe kohës moderne.

Minoriteti etnik grek në Shqipëri, si dhe komuniteti shqiptar në Greqi, përbëjnë urën e qëndrueshme të miqësisë mes dy popujve. Gjithashtu, të shumtë janë grekët, të cilët operojnë aktivisht në ekonomi, kulturë, politikë, midis të tjerash, dhe kontribuojnë për vendin, si nga vatrat e të parëve të tyre në Jug, ashtu edhe nga qendrat e rëndësishme urbane të Shqipërisë. Me shumë ngrohtësi dhe një ndjenjë tepër miqësore na përqafojnë edhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë, veçanërisht ata që kanë studiuar ose dhe jetuar në vendin tonë dhe kanë gjetur në Greqi mundësi të reja, miq, bashkëpunëtor.

Pas angazhimit tim të parë profesional me Shqipërinë (1997- 98), vizitova Tiranën për çështje pune, për nënshkrimin e një marrëveshjeje. Që atëherë, nuk kam pasur mundësi të rikthehem në vend deri në emërimin tim aktual. Më ka lënë mbresa zhvillimi i Tiranës, por edhe i mbarë vendit. Tirana e sotme është një metropol i bukur që nuk i mungon as gjelbërimi dhe as dimensioni i saj njerëzor. Çdokush ka mundësinë të konstatojë qoftë karakterin tradicional të qytetit, qoftë edhe atë modern, në një amalgamë të këtyre dy fytyrave të qytetit.

Duke marrë shkas nga vizita e zotit Kryeministër, sikundërse iu referova më lart, vizitova Konsullatat e Përgjithshme Greke në Korçë dhe në Gjirokastër, si dhe bashkitë e Finiqit, Sarandës, Dropullit dhe Himarës, ku dhe u takova me të gjitha autoritetet lokale të këtyre zonave, me të cilët kërkuam për mënyra bashkëpunimi për zhvillimin e një zone kaq të bukur dhe tepër premtuese, si në sektorin ekonomiko-tregtar, ashtu edhe në atë turistik-mjedisor. Vizita ime e radhës është planifikuar të zhvillohet në rajonin e Kukësit, vendi më pak i zhvilluar në vend, me aq sa di unë, ku do të kem sërish kontakte me autoritetet lokale të zonës për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit në të gjitha sektorët: kulturor, tregtar, turistik.

Cila është përvoja juaj e mëparshme diplomatike, për t’u njohur dhe nga publiku shqiptar dhe cilat janë prioritetet e mandatit tuaj në krye të ambasadës së Greqisë?

Siç ju thashë edhe më parë, dosja ime e parë politike në Ministrinë e Jashtme ishte Shqipëria, ndërsa emërimi im i parë jashtë vendit ishte në Serbi nga viti 1998-2001. Më pas u emërova në Përfaqësinë e Përhershme të vendit tim në Bruksel deri në vitin 2005, ku punova në sektorin e sapokrijuar atëherë të Mbrojtjes, Sigurisë dhe Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian. U ktheva në Athinë, ku punova në sektorin e diplomacisë ekonomike dhe më pas u caktova në Ambasadën Greke në Ankara. Më pas u transferova në Nju Jork, ku përfaqësova vendin tim në komisionin e dytë të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara.

Në Athinë kam punuar në Drejtorinë e Migracionit, Azilit dhe Çështjeve të Brendshme të Bashkimit Evropian dhe më pas kam kryer shërbimin tim në Finlandë si Zëvendësambasadore e Greqisë. Përpara se të merrja detyrën e ambasadores së Greqisë në Shqipëri, pata nderin të isha drejtoreshë në Drejtorinë e Punëve të Jashtme të BE-së, dhe kisha kompetenca mbi procesin e zgjerimit. Nga ky pozicion, me udhëzimet e qeverisë greke dhe ministrit të Jashtëm grek, bëra çdo përpjekje të mundshme për të nxitur procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe në përgjithësi të Ballkanit Perëndimor në BE. Për Greqinë, integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane është një synim me rëndësi strategjike.

Pushtimi rus i Ukrainës ka nxjerrë në pah edhe më tej nevojën urgjente për integrimin e menjëhershëm e të gjithë Ballkanit në familjen evropiane – sigurisht sipas kushteve të parashikuara. Siguria e Evropës nuk mund të sigurohet pa Ballkanin Perëndimor në gjirin saj. E shoh si thelbësore nevojën për konsolidimin e një klimë besimi midis dy popujve vëllezër sipas mendimit tim, në të gjithë sektorët dhe në të gjitha nivelet. Sikundërse kaq shumë qytetarë kanë treguar besim tek vendi ynë duke e kthyer atë në atdheun e tyre të dytë dhe vlerësuan mundësitë që u janë ofruar, është e rëndësishme që klasa politike e Shqipërisë të vazhdojë ta shohë Greqinë si një partner që dëshiron njësoj si ajo, zhvillimin, progresin, mirëqenien e saj dhe mbi të gjitha konsolidimin e perspektivës evropiane.

Mendoj se qëndrimi i përhershëm i Greqisë pro mbështetjes së perspektivës evropiane të Shqipërisë mund dhe duhet të shoqërohet nga kohezioni përkatës reformator dhe politik edhe nga ana e qeverisë shqiptare. Prioritet kyç do të jetë monitorimi i rrugëtimit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe gatishmëria për të kontribuar me njohuri që vendi im zotëron në të gjitha fushat e acquis të BE-së. Në marrëdhëniet tona dypalëshe, konsolidimi i axhendës pozitive përbën prioritetin tim kryesor, me përforcimin e kontakteve, bisedimeve, konsultimeve në të gjitha nivelet e jetës politike, si në nivel parlamentar, ministror, institucional, akademik etj. Si vende fqinje, Shqipëria dhe Greqia, ndajnë të njëjtat shqetësime, probleme, por edhe mundësi për përparim dhe mirëqenie.

Sektori mjedisor, turistik, kulturor, tregtar-ekonomik, janë një fushë e shkëlqyer bashkëpunimi të ngushtë për mirëqenien e të dy popujve në një mjedis evropian. Për shkak të krizës ekonomike dhjetëvjeçare që kaloi vendi im, shumë biznese greke, por edhe banka u detyruan të tërhiqen. Qëllimi kryesor i mandatit tim këtu është risjellja e biznese dhe e investitorëve grekë. Së fundi, i kushtoj një rëndësi të veçantë zhvillimit të marrëdhënieve kulturore midis dy vendeve dhe për këtë arsye një nga prioritetet e mia kryesore do të jetë konsolidimi i nismës së javës kulturore greke çdo maj.

Dua të flasim për çështjet më të nxehta mes dy vendeve. Është hera e parë që një Kryeministër grek viziton brenda një muaji dy herë Shqipërinë, po ashtu dhe ministri i Jashtëm, Dendias. Sa afër janë Tirana dhe Athina për të shkuar me një dosje të dakordësuar në Gjykatën Ndërkombëtare për çështjen e delimitimit të detit dhe përcaktimit të Zonave Ekonomike? Çfarë e ka zvarritur deri tani, një vit më parë është thënë se pengesë ishte ish-Presidenti Meta? Sa u diskutua kjo në vizitën e fundit të Kryeministrit Mitsotakis me zotin Rama?

Dy vizitat brenda një muaji të Kryeministrit grek në Shqipëri, si dhe të ministrit të Jashtëm grek, padyshim shënojnë fillimin e një epoke të re të përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke dëshmuar vullnetin e të dyja palëve për zgjidhjen e të gjitha çështjeve që kanë mbetur pezull dhe ngritjen e marrëdhënieve në nivelin strategjik që u takon. Lidhur me çështjen e delimitimit të zonave detare, ka pasur konsultime diplomatike mes dy palëve për detajet dhe procedurat se si do të bëhet dërgimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Presim nga qeveria shqiptare të përfundojë procedurat për përgatitjen e një dosjeje të plotë me anë të secilës do të kërkohet nga presidenti, siç parashikon kushtetuta, autorizimin për nisjen e negociatave mes dy palëve, rezultat i të cilave do të jetë dakordësimi në bazë të marrëveshjes së posaçme për dërgimin e çështjeve të mbetura pezull në lidhje me delimitimin e zonave detare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, e cila do të çojë në një zgjidhje të drejtë të çështjes për të dyja palët, me respekt të plotë ndaj kushtetutave të vendeve dhe të Konventës së Kombeve të Bashkuara Mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS).

Në një epokë ripozicionimesh ndërkombëtare fuqish, testimit të rendit të deritanishëm të gjërave, pasigurisë së zgjeruar, paqëndrueshmërisë ekonomike dhe luftërave edhe në tokë evropiane, është e domosdoshme që dy vende fqinje me lidhje të ngushta tradicionale, si Greqia, anëtare e NATO-s dhe BE-së dhe Shqipëria, anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në BE, të vijojnë menjëherë me rregullimin e çështjeve të mbetura pezull, për të krijuar së bashku kuadrin e nevojshëm të stabilitetit për përparimin dhe mirëqenien e qytetarëve të tyre. Krijimi i kësaj klime, jam e sigurt se do të kontribuojë shumë në konsolidimin e stabilitetit dhe gjithashtu në promovimin e mirëqenies dhe rajonit tonë më gjerë. Në çdo takim të tyrin, të dy kryeministrat shqyrtojnë të gjithë gamën e marrëdhënieve tona dypalëshe, duke kërkuar mënyra për t’i përforcuar dhe pasuruar ato.

Në mënyrë të përsëritur, edhe nga ministrja e Jashtme, Xhaçka, gjatë vizitës së fundit në Tiranë të ministrit Dendias, u shtrua kërkesa e abrogimit të Ligjit të Luftës me Shqipërinë, ndërkohë që Shqipëria është vend kandidat për në BE? Sipas opinionit tuaj, çfarë po e pengon ecurinë e kësaj çështjeje?

Dy popujt tanë kanë krijuar marrëdhënie vëllazërore aq të ngushta me njëri-tjetrin, por edhe familjare, saqë shfuqizohet madje edhe dyshimi i një përballjeje ushtarake, pavarësisht lidershipit apo konjukturave politike. Për sa i përket aspektit institucional të çështjes, ju rikujtoj se të dyja vendet i përkasin sigurisht së njëjtës aleancë ushtarake, NATO-s, kanë mbi 50 vjet që kanë lidhur marrëdhënie diplomatike, një partneritet strategjik njëzetvjeçar, një pakt miqësie që rinovohet në përjetësi dhe një kuadër të gjerë marrëdhëniesh dypalëshe. Përveç sa më sipër do të mjaftonin për të shuar çdo shqetësim, qeveria greke ka pranuar të vazhdojë me shfuqizimin formal të këtij dekreti mbretëror të vjetërsuar dhe kjo çështje është një nga çështjet e mbetura pezull që duhet të zgjidhen përfundimisht.

Një tjetër çështje që pret zgjidhje për mijëra shqiptarë që kanë jetuar dhe jetojnë në Greqi, është edhe njohja e viteve të punës për efekt pensioni. Shqipëria ka arritur disa marrëveshje me vende të BE-së por dhe jashtë saj, ku numri i shqiptarëve është shumë më i vogël se në Itali dhe Greqi. Mund të ketë një marrëveshje për këtë çështje para se Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian?

Qeveria greke e kupton argumentin që qëndron pas domosdoshmërisë së njohjes së viteve të punës për arsyen e dhënies së pensioneve ndaj emigrantëve shqiptarë që kanë punuar në mënyrë të ligjshme në Greqi. Ju rikujtoj se është nënshkruar një Protokoll Bashkëpunimi mes Greqisë dhe Shqipërisë në fushën e Sigurimeve Shoqërore në vitin 2003, i cili përcakton kuadrin përkatës. Në këtë kuadër, takimet e para dypalëshe të ekspertëve teknikë të dy vendeve u zhvilluan në shtator të vitit 2022. Takimi i ardhshëm i ekspertëve është planifikuar të zhvillohet së shpejti, brenda këtij viti. Vlerësoj se është absolutisht e mundur të arrihet një marrëveshje përkatëse në kuadrin e agjendës pozitive që po ndiqet tanimë nga të dyja palët, përpara integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Minoriteti grek dhe bizneset greke në Shqipëri janë një urë e fortë lidhëse mes dy vendeve, ka problematika në të përditshmen e tyre me shtetin shqiptar dhe institucionet në vend? Çfarë ankesash mbërrijnë te ju?

Minoriteti etnik grek përbën pjesë të pashkëputshme të strukturës shoqërore të Shqipërisë. Si rrjedhojë, e shqetësojnë kryesisht çështjet që shqetësojnë shoqërinë në tërësi. Siç thashë edhe më parë, zonat ku ata jetojnë janë të bukura, të begata dhe ofrojnë shumë mundësi për zhvillim dhe mirëqenie. Promovimi i projekteve për modernizimin e infrastrukturës (rrjeti rrugor, energjia elektrike, shërbimet mjekësore dhe arsimore etj.), besoj se do të kontribuonte shumë në promovimin e mundësive turistike dhe jo vetëm të zhvillimit të këtyre zonave.

Çështja e pronave që, siç dihet, shqetëson të gjithë qytetarët shqiptarë në këtë kohë, është një çështje që shqetëson edhe minoritarët grekë në Shqipëri, të cilët, siç është njerëzore, janë të shqetësuar dhe dëshirojnë rregullimin sa më parë të pasurive të tyre. Për sa u përket çështjeve të tjera kryesore që minoriteti etnik grek promovon vazhdimisht dhe që natyrisht kanë të bëjnë me parimet dhe vlerat evropiane dhe janë kusht themelor në procesin e anëtarësimit të vendit, është dhënia e së drejtës për vetëpërcaktim dhe përdorimi i gjuhës amtare në pushtetin vendor. Qeveria shqiptare ka shënuar progres me miratimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e pakicave kombëtare në vitin 2017 dhe presim që ajo të miratojë të gjitha dispozitat zbatuese.

Në Shqipëri operojnë kompani të shumta greke dhe të përziera (greko-shqiptare), të cilat punësojnë mijëra punëtorë dhe mbështesin sipërmarrjen në vend. Greqia vazhdon të jetë në dhjetëshen e parë të investitorëve të huaj në Shqipëri, ndërsa për nga vëllimi tregtar, Greqia zë vendin e tretë, pavarësisht vështirësive të dhjetëvjeçarit të mëparshëm që çuan në uljen e përgjithshme të vëllimit tregtar mes dy vendeve. Problemet kryesore me të cilat përballen kompanitë greke janë të ngjashme me ato të kompanive shqiptare, pra, mungesa e kadastrës dhe e përdorimit të tokës në përgjithësi, problemet që lidhen me burokracinë dhe mungesën e infrastrukturës apo personelit të kualifikuar etj. Kohët e fundit kriza energjetike ka sjellë rritje të kostove të prodhimit, duke shkaktuar vështirësi më të mëdha në funksionimin e shumë bizneseve.

Megjithatë, në vija të përgjithshme, bizneset greke funksionojnë në mënyrë harmonike në Shqipëri pa probleme serioze. Theksoj se kohët e fundit janë intensifikuar kontaktet e biznesit mes institucioneve të dy vendeve. Si shembull, përmend nënshkrimin e dy memorandumeve të bashkëpunimit në Athinë nëntorin e kaluar mes Dhomës së Tregtisë së Tiranës dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Athinës dhe midis Enterprise Greece (agjenci kompetente për thithjen e investimeve) dhe agjencisë përkatëse shqiptare AIDA, si dhe bashkëpunimi midis Greqisë dhe Shqipërisë në fushën e energjisë elektrike.

Gjithashtu, po planifikohen misione sipërmarrjeje dhe bashkëpunime në sektorë konkretë si ai i turizmit, energjisë, sektori agroushqimor, infrastruktura etj. Gjithashtu, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë krijon mundësi të reja bashkëpunimi me Greqinë nëpërmjet transferimit të njohurive dhe përdorimit të mjeteve financiare. Si minoriteti etnik grek, ashtu edhe bizneset greke përbëjnë, siç thatë edhe ju, një urë të fortë lidhëse mes dy vendeve, që duhet të mbështeten nga të dyja palët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat