Aksident i dyfishtë ku vdiq 40-vjeçari, merret vendimi përfundimtar për shoferët

Shqipëria

Aksident i dyfishtë ku vdiq 40-vjeçari, merret vendimi përfundimtar për shoferët

Më: 6 prill 2023 Në ora: 18:15
Pas përplasjes 24-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes

Dy nga tre shoferët e arrestuar për aksidentin me përplasjen e dyfishtë që i mori jetën një 40-vjeçari në Sukth të Durrësit janë kthyer në shtëpi.

Gjykata e Durrësit vleftësoi ditën e sotme si të ligjshëm arrestimin e tre drejtuesve të automjeteve të përfshira në aksidentin me pasojë vdekjen, por la në masën e sigurisë “arrest me burg” vetëm njërin prej tyre. Për dy drejtuesit e tjerë, u vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ngjarja e rëndë rrugore ndodhi të dielën e kaluar në aksin rrugor Sukth-Manëz, në Vadardhë, pranë Kthesës së Ariut, kur një automjet tip Golf i drejtuar nga 24-vjeçari me inicialet A.H goditi nga pas një motoçikletë pa targa me të cilën po lëviznin dy banorë të zonës.

Pas përplasjes 24-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes, duke i lënë të dy të dëmtuarit, pasagjerin dhe drejtuesin e motoçikletës, të shtrirë në rrugë. Disa sekonda më pas, një tjetër automjet tip Kady i drejtuar nga 66-vjeçari me inicialet H.H. i kalon sipër pasagjerit 40-vjeçar të motocikletës që dergjej në rrugë.

Edhe ky mjet nuk ndalon për t’i dhënë ndihmën e parë të dëmtuarve. Ndonëse në kushtet e errësirës në këtë aks rrugor, policia rrugore arrin të zbardhë ngjarjen dhe të arrestojë dy drejtuesit e automjeteve që përplasën motoçikletën dhe pasagjerin e saj dhe u larguan nga vendi i ngjarjes.

Policia arrestoi dhe drejtuesin e motoçikletës që lëvizte pa targa. Në seancën gjyqësore të zhvilluar të enjten në gjykatën e Durrësit, gjyqtari la arrest me burg vetëm 24-vjeçarin, ndërsa dy të arrestuarit e tjerë do të qëndrojnë në arrest shtëpie deri në përfundim të hetimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat