SPAK nis lëvizjet për të shfarosur korrupsionin në nivel politik, Dumani paralajmëron dosje të tjera për zyrtarët e lartë

Shqipëria

SPAK nis lëvizjet për të shfarosur korrupsionin në nivel politik, Dumani paralajmëron dosje të tjera për zyrtarët e lartë

Më: 27 maj 2023 Në ora: 14:18
Altin Dumani

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur lëvizjet për të shfarosur korrupsionin në nivel politik. I projektuar me angazhimin e SHBA-BE për të goditur korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar, kreu i kësaj strukture, Altin Dumani ka zbuluar ditën e djeshme se ka rritur procedimet penale kryesish, pra pa një kallëzim penal, por në bazë të investigimeve mediatike apo indiceve të tjera.

Teksa Dumani ka prezantuar punën e SPAK para Komisionit të Ligjeve, gjatë fjalës së  tij u ndal te mjetet e posaçme të hetimit, që siç tha ai për herë të parë janë futur edhe agjentë të infiltruar. Sipas Dumanit, SPAK po ashtu ka rritur edhe aksesin në databeset shtetërore, duke i thënë mundësi siç tha ai për të mënjanuar zbulimin e hetimit.

“Në lidhje me mjetet e posaçme të hetimit, përveç përgjimeve telefonike po aplikohen të gjitha mjetet për një çështje, si vëzhgime, simulime dorëzimi i kontrolluar, letër porosi dhe për herë të parë edhe agjentë të infiltruar. Në vitin 2022 pjesën më të madhe të procedimeve penale e kryesojnë ato të korrupsionit me 69 procedime penale Është rritur gama e databasëve shtetërore, ku SPAK ka akses të drejtpërdrejtë në sistemin e gjendjes civile, në ASHK në drejtorinë e burgjeve në drejtorinë e përgjithshme të shërbimit të transportit rrugor, sistem e policisë së shtetit, TIMS etj. Pasja direkt akses në këto sisteme mundëson që SPAK dhe BKH marrin informacion nga këto sisteme dhe duke mënjanuar zbulimin e hetimit. Kjo është një arritje për SPAK”, tha Dumani.

Ai tha gjithashtu se në skaner nga SPAK janë futur celularë, laptopë, dronë dhe GPS. Pra pushtetarët e lartë të korruptuar janë nën lupën e drejtësisë së re.

Hetimet për zyrtarët e lartë

Sa i takon hetimeve për zyrtarë të lartë, Dumani tha se janë hetuar 24 procedime penale me 25 persona në hetim të ish zyrtarëve të nivelit të lartë. “Për periudhën 2020-2022 rezulton se janë hetuar 24 procedime penale me 25 persona në hetim ndaj ish zyrtarëve të nivelit të lartë.

Nga këto janë dërguar në gjykatë 8 procedime penale me 8 ta pandehur ish gjyqtarë, me 3 të pandehur ish prokurorë, një procedim me dy të pandehur ish deputetë, një procedim penal me një të pandehur ish-zv ministër, një procedim penal me një të pandehur anëtarë KPK dhe 4 procedime penale me 4 të pandehur ish-kryetar bashkie”, tha ndër të tjera Dumani.

Dosje të reja në SPAK

Nga ana tjetër, Dumani teksa ka raportuar në Komisionin e Ligjeve për punën e institucionit të drejtuar prej tij përgjatë vitit 2022 është pyetur nga deputeti Pandeli Majko për marrëdhënien me median dhe dhënien e informacionit.

Në këtë pikë, Dumani ka thënë se nuk mund të japë asnjë informacion për çështje që janë nën hetim apo për fillime apo mosfillime të procedimeve penale për shkak të humbet elementi i befasisë së hetimeve.

“Sa i takon marrëdhënieve me publikun dhe transparenca duhet të sqaroj diçka. Ne mund të japim informacion për çështje të pushuara, të mosfilluara, çështje që dërgohen në gjyq. Çështje të hetimit paraprak ne nuk mund të japim informacion, çështje ose kërkesave që bëhen a u regjistrua procedim penal, unë si drejtues i Prokurorisë së Posaçme kam këtë qasje, nuk jap informacion shtypit dhe medias pavarësisht publicitetit apo ndjeshmërisë që mund të ketë ajo çështje. Si mendoni ju, do i them publikut regjistrova procedimin penal unë? Sepse për të patur një hetim të suksesshëm duhet të kesh, aq sa mund të kesh, befasi. Jo ta ekspozosh do të të hetoj unë ty”, u shpreh Dumani.

Pra kreu i SPAK zbuloi indirekt se dosje të reja mund të jenë regjistruar në SPAK për pushtetarë të lartë, por po mbahen sekret për shkak të hetimeve.

Kreu i SPAK: Asnjë nuk ka imunitet

Gjithashtu Dumani, paralajmëroi arrestime të bujshme.

“Prokuroria e posaçme do të ushtrojë ndjekje penale, do të marrë në ndjekje penale dhe akuzë ndaj zyrtarëve apo ish zyrtarëve të nivelit të lartë të cilët kanë shkelur ligjin. Ajo që dua them me bindje është se s’ka asnjë imunitet nga ndjekja penale sa i takon reagimit të Prokurorisë së Posaçme. Kemi në hetim disa çështje të rëndësishme”, tha ai.

Më tej ai u ndal te sulmet kibernetike.

“Ka pasur tentativa për sulm kibernetik, por nuk është prekur. Të gjithë jemi të rrezikuar nga sulmet kibernetike. Ne vazhdojmë dhe investojmë çdo vit në këtë drejtim,, që të reduktojmë mundësinë për të na sulmuar”, përfundoi Dumani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat