Lulzim Basha zbulon arsyet e rikthimit: Me 14 majin, e pafalshme do t’u ktheja shpinën demokratëve

Shqipëria

Lulzim Basha zbulon arsyet e rikthimit: Me 14 majin, e pafalshme do t’u ktheja shpinën demokratëve

Më: 27 maj 2023 Në ora: 19:18
Lulzim Basha

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi me të rinjtë dhe të rejat e Shkodrës ka zbuluar pse u tërhoq nga kryesimi i të djathtës dhe arsyet e rikthimit në politikën aktive.

Gjatë një takimi me të rinjtë e Shkodrës, Basha theksoi se u tërhoq para një viti për t’i dhënë shansin një paqëtimi, dhe se priste që hapi i tij do të ndiqej edhe nga Sali Berisha me qëllim që të fitonin demokratët.

Megjithatë, Berisha vendosi të mos sakrifikohej sikurse Basha, reflektim nuk pati dhe 14 maji është rezultati sipas ish-kryedemokratit. Gjërat janë më keq, thotë Basha, dhe për të do të ishte e pafalshme që t’u kthente shpinën demokratëve në momente të tilla.

Unë nuk jam shkëputur sepse doja të shkëputesha. Vendimin e para një viti e kam marrë kur për interesa personale, brenda familjes tonë politike nisi një luftë e padrejtë që dëmtonte interesat e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve.

Në një moment kam marrë vendimin për t’u larguar që kjo luftë të mos vazhdonte më dhe t’i jepja shansin një paqëtimi sepse i vetmi që fitonte nga kjo luftë ishte kundërshtari ynë politik.

Një vend nuk mund të funksionojë pa opozitë. Një vend po opozitë mos e jetofshi kurrë, një vend pa opozitë është diktaturë.

Prej një viti ça ndodhi? Gjërat shkuan si mos më keq. Prisja për reflektim por nuk ndodhi, kur u tërhoqa unë ai nuk bëri një hap pas. Nuk kam asnjë pishman që kam marrë atë vendim sepse sprova e lidershipit është që kur vijnë momente të tilla, duhet të tërhiqesh. Kur vijnë momente të tilla, kur vijnë punët ngushtë, në të tilla raste matet lidershipi. Nëse sakrifikon veten e vetë apo të tjerët. Është lidership i rremë ai që sakrifikon të tjerët.

Për t’iu kthyer dorëheqjes time, sepse pyetja ishte e drejtpërdrejtë dhe kërkon një përgjigje të drejtpërdrejtë. Unë bëra një hap pas që të kishte një moment reflektimi, por reflektim nuk pati. Gjërat janë më keq, 14 maji tregon se gjërat janë më keq. Unë kur dhashë dorëheqjen u premtova shumë demokratëve se nuk do t’iu ktheja shpinën. Ajo që kishim shpresuar nuk ka ndodhur dhe në këtë moment për mua do të ishte e papranueshme dhe e pafalshme nëse nuk do t’i qëndroja fjalës që iu kam dhënë demokratëve dhe shumë miqve, që nuk do t’iu ikja përgjegjësive të mia”- tha Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat