Çamët protestojnë para ambasadës greke në Tiranë

Shqipëria

Çamët protestojnë para ambasadës greke në Tiranë

Më: 9 dhjetor 2012 Në ora: 17:01

Me thirrje kombëtare dhe pankarta ku kërkohej zgjidhja e çështjes çame, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe të rinjtë e “Klubit të Patriotëve” u mblodhën para ambasadës greke në shenjë proteste kundër gjenocidit grek ndaj popullsisë çame.

Në ditën ndërkombëtare kundër gjenocidit, 9 dhjetor, deputeti i PDIU-s, Dashamir Tahiri deklaroi se të hënën, së bashku me kryetarin Shpëtim Idrizi, do të dërgojnë në Kuvendin e Shqipërisë rezolutën për Çamërinë.

”Ne do të përgatitim rezolutën, që do të votohet në Parlament, sepse aty ka shqiptar dhe bijë shqiptarësh. i bëj thirrje deputetëve të bashkohemi dhe ta votojmë të gjithë së bashku”, deklaroi deputeti i PDIU-s, Dashamir Tahiri.

”Duam vetëm drejtësi. i bëjmë thirrje shtetit e qeverisë greke, që çështja çame duhet zgjidhur sepse duhen korrigjuar padrejtësitë që na janë bërë. Kjo do të jetë në të mirë të Greqisë në radhë të parë, në të mirë të Shqipërisë, të Ballkanit dhe Europës”, tha Servet Mehmeti, ish-kryetari i shoqatës “Çamëria”.

Rezoluta mbi zgjidhjen e çështjes çame kërkon rivendosjen e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë, ish-shtetas grekë, që përfshin rikthimin e pronave, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë dhe të drejtave të tjera të pakicave kombëtare.

Po ashtu, ndër të tjera, rezoluta kërkon shfuqizmin e ligjit grek të luftës, në veçanti pjesën e ligjit që mban sekuestron konservative të pasurive shqiptare.

Rezoluta ngarkon qeverinë shqiptare që në kontaktet diplomatike t’i shprehë palës greke qëndrimin e Republikës së Shqipërisë në lidhje me këtë problem si dhe i rezervon vetes të drejtën që në rast reagimi refuzues nga pala greke të paraqesë çështjen në instancat ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat