AK: Ku është fshehur Berisha i “Shqipërisë etnike”, që nuk flet për Luginën e Preshevës

Shqipëria

AK: Ku është fshehur Berisha i “Shqipërisë etnike”, që nuk flet për Luginën e Preshevës

Më: 17 janar 2013 Në ora: 14:48

Aleanca Kuq e Zi ka reaguar për situatën e tensionuar në Luginën e Preshevës, të krijuar pas kërkesës së Beogradit për të hequr një lapidar në nderim të luftëtarëve shqiptarë.

Prof. Dr. Maks Qoku, në emër të AK, kërkoi që të mësojë se përse kryeministri Sali Berisha është fshehur në këtë situatë.

“Aleanca Kuq e Zi ndjek me shqetësim të madh zhvillimet e përkeqësuara politike në Luginën e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës. Këto zhvillime po ndodhin vetëm pak ditë përpara takimit të pritshëm midis dy kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës, Daciç dhe Thaçi. Tensionet politike të përkeqësuara në Luginën e Preshevës dhe rezoluta famëkeqe e parlamentit serb për shndërrimin e veriut të Kosovës në “Republika Srpska” si në Bosnje, dëshmojnë qartë se politika dhe diplomacia serbe janë kthyer mbrapa drejt recidivave politike e diplomatike të kohës së Millosheviçit.

Aleanca KuqeZi kërkon të dijë se ku është fshehur shtetasi Berisha, i cili trumbetoi një muaj më parë se do mbrojë Shqipërinë etnike nga Preveza në Preshevë. Ai po dhunon detyrimet kushtetuese që rrjedhin nga neni 8 i ligjit themeltar “për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë”,” tha Qoku.

“Aleanca Kuq e Zi, apelon te autoritetet e Beogradit të jenë luajal me aktet juridike ndërkombëtare dhe ato vendore, që janë në të drejtë të popullit shqiptar në Luginën e Preshevës, sepse do përballen me drejtësinë ndërkombëtare dhe mbarë kombin shqiptar ashtu sikundër janë përballur me humbje deri tani.

Aleanca Kuqezi u bën thirrje të përsëritura qeverive në Tiranë dhe Kosovë që të ndërmarrin veprimet e veta politiko-diplomatike, bazuar në aktet juridike të lartpërmendura për të mbrojtur popullin shqiptar në Luginën e Preshevës, historinë, vlerat dhe kontributet e tij në trojet e veta etnike,” përfundon deklarata e AK.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat