Qeveria shqiptare: Heqja e lapidarit dëshmi e Albanofobisë së Beogradit

Shqipëria

Qeveria shqiptare: Heqja e lapidarit dëshmi e Albanofobisë së Beogradit

Më: 20 janar 2013 Në ora: 12:46

Qeveria Shqiptare dënon largimin nga autoritetet e Beogradit, i përmendores së heronjëve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës.
Në një deklaratë për shtyp, qeveria shqiptare e konsideron këtë një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit që dëshmon qartë se trashëgimia raciste anti shqiptare e Slobodan Millosheviçit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit.
“Qeveria Shqiptare dënon aktin e largimit me autoblinda, mitroloza dhe terror, nga autoritetet e Beogradit, i përmendores së heronjëve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës që ranë për tu bërë të pavdekshëm në luftë për liri dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar kundër rregjimit barabar të Millosheviçit. Me këtë akt të rëndë autoritetet e Beogradit kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombetare, si Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Europës si dhe Kartën Europiane të Autonomise Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Europës, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t’i zbatojë” thuhet në deklaratën e qeverisë.
Gjithashtu qeveria shqiptare vlerëson dhe mbështet plotësisht qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb dhe i siguron ata se Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë pa asnjë lëkundje liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat nuk mund të kenë në asnjë rast standarte të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e veriut.
Qeveria shqiptare gjithashtu iu bënë thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë që po shfaqet rëndom në rajon si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat