AK: Serbia dëshmoi racizmin kundër shqiptarëve - Bota Sot
AK: Serbia dëshmoi racizmin kundër shqiptarëve

Shqipëria

AK: Serbia dëshmoi racizmin kundër shqiptarëve

Më: 20 janar 2013 Në ora: 13:33

Aleanca Kuq e Zi dënon me forcë vendimin e qeverisë së Serbisë për heqjen e “Memorialit të UÇPMB-së” në Preshevë, memorial që dëshmon sakrificën e kombit shqiptarë kundër racizmit serb të modelit të Milosheviçit. Aleanca Kuq e Zi e konsideron veprimin e policisë së Serbisë një akt provokues dhe kërcënues për shqiptarët në Luginën e Preshevës, të cilët sot i zgjuan nën terrorin e ushtrisë dhe snajperëve të xhandarmërisë serbe.
Aleanca Kuq e Zi deklaroi dit më parë që një akt i tillë i Serbisë do të ishte në shkelje të konventave ndërkombëtare dhe në fakt ashtu ndodhi. Qeveria e Serbisë shkeli sot “Konventën e Kombeve të Bashkuara për luftën kundër gjithë formave të diskriminimit, racizmit dhe të ksenofobisë”, dhunoi haptazi “Kartën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, që është arritja më e madhe e Traktatit të Lisbonës së Bashkimit Evropian. Serbia injoroi “Konventën e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Komuniteteve Pakicë”. Gjithashtu vendimi i qeverisë së Serbisë shkeli haptazi “Konventën për Autonominë e Qeverisjes Vendore të Këshillit të Evropës”, që vepron në kuadër të “Kongresit të Autoriteteve të Qeverisë Vendore të kësaj Organizate.
Aleanca Kuq e Zi me keqardhje dënon dhe mosreagimin në kohë të dy qeverive në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat si përherë dëshmuan se janë të paaftë të mbrojnë dhe sigurojnë të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Mosreagimi apo reagimi i vonuar i dy qeveri është dëshmi e dështimit të diplomacive dhe ndikimit që ato kanë tek faktori ndërkombëtare.
Aleanca Kuq e Zi i bëri apel ditë më parë shtetasit Sali Berisha që të reagonte për situatën e tensionuar në Luginën e Preshevës duke qenë se ai jave më parë foli për Shqipërinë Etnike nga Presheva në Prevezë. Gjatë gjithë periudhës së tensionuar në Luginën e Preshevës për heqjen e memorialit të UÇPMB-së Sali Berisha heshti dhe sot nuk bën asgjë më shumë se sa dënon heqjen e tij. Nga ana tjetër edhe qeveria e Kosovës u tregua e pafuqishmi diplomatikisht për të ndikuar në mbrojtjen dhe ruajtjen e simboleve kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...