Leka Zogu II fiton të drejtën ligjore për të kërkuar kthimin e pronësisë

Shqipëria

Leka Zogu II fiton të drejtën ligjore për të kërkuar kthimin e pronësisë

Më: 5 shkurt 2013 Në ora: 12:15

Leka Zogu II, i njohur si Princ Leka, fiton të drejtën ligjore për të kërkuar kthimin dhe kompensimin e dy pasurive të familjes së tij, një prej të cilave është Pallati i Brigadave.
Me pretendimin se janë pronë e gjyshit të tij, Mbretit Zog, dhe se deri tani e ka pasur të pamundur ta kërkojë këtë të drejtë, Leka Zogu II i është drejtuar Gjykatës në janar 2013. Pak ditë më parë togat e zeza kanë pranuar kërkesën e Princ Lekës për rivendosje në afat të kërkesës së tij drejt Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për këto prona.
Sipas vendimit të Gjykatës, pronat në fjalë janë dy pasuri të paluajtshme, të njohura si “Pallati i Princeshave”, sot Biblioteka e Librit të Huaj, si dhe “Pallati Mbretëror”, sot Pallati i Brigadave, njoftojnë mediat në Shqipëri.
Në vendimin e shpallur më 25 janar nga gjyqtarja Blerona Hasa, thuhet se kërkuesi, Princi Leka, nuk ka pasur mundësi të kërkonte më parë kthimin dhe kompensimin e pronës, pasi nuk zotëronte dokumentet e pronësisë.
Sipas vendimit, këto dokumente trashëgimtari i vetëm i familjes mbretërore i ka “shtënë në dorë” vetëm pas datës 17 janar 2013. Referuar ligjit përkatës, ish-pronarët mund t’i drejtoheshin AKKP-së deri më datë 31 dhjetor 2008. Pas kësaj date e drejta për të depozituar kërkesën mund të bëhej vetëm nëpërmjet gjykatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat