Seanca për 5-vjetorin e pavarësisë, Kosova fut në sherr PS-në me mazhorancën

Shqipëria

Seanca për 5-vjetorin e pavarësisë, Kosova fut në sherr PS-në me mazhorancën

Më: 16 shkurt 2013 Në ora: 01:42

Kryesocialisti Edi Rama ka akuzuar Kryeministrin Berisha se përdori një përvjetor dhe një datë shumë të rëndësishme për Kosovën, 5 vjetorin e pavarësisë së saj, për të sulmuar qartazi opozitën në funksion të përfitimeve elektorale. Përmes një deklarate për mediat, Rama deklaroi se seanca e sotme, e ashtëquaqjtur soleme, jo vetëm që sishte në kohën e duhur dhe lartësinë e duhura, por lidhur me këtë opozita është përjashtuar duke mos marrë asnjë njoftim institucional.
“Një gjoja seancë të posaçme për përvjetorin e ditës historike nga njëra anë dhe një sulm kundër opozitës, Partisë Socialiste, nga ana tjetër. Sulm i ftohtë, në dukje i heshtur, por shumë tinzar. Për mungesën! E vërteta është se as seanca jubilare nuk u organizua kurrë dhe as Partia Socialiste nuk u lajmërua ndonjëherë. 5-vjetori i shpalljes së Kosovës shtet më vete, i lirë dhe i pavarur, kërkonte jo një seancë të improvizuar kërcimi nacionalist për kryeministrin e kryetaren e Kuvendit, po një seancë jubilare të mirëfilltë, me organizim e të ftuar krejt specialë dhe sigurisht me përgatitjet e duhura në kohën e duhur. Por kjo nuk ndodhi dhe s’mund të ndodhte. Sepse Kosova, shqiptaria apo vetë kombi i ndarë në pesë shtete, siç kuturiset ta përshkruajë prej ankthit elektoral kombin shqiptar kryeministri në ikje, për këta që qeverisin sot Shqipërinë janë vetëm material elektoral. Edhe kjo seancë tinëzare parlamentare në emër të Kosovës, por në fakt vetëm për llogari të pushtetit të këtushëm të përfshirë në ethet elektorale, s’ishte tjetër veçse një inskenim gjasmepatriotik me një qëllim mirëfilli elektoral. Këta janë dashnorët e mëdhenj të shqiptarisë që kemi në qeveri!” tha Rama.
Numri i një i selisë rozë i përforcoi më tej akuzat në drejtim të Kryeministrit, duke theksuar se për ca vota më shumë ai tregoi se është i gatshëm të hedhë në erë edhe bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira me partnerin tonë kryesor, SHBA-në.
“Këta janë pra, ata që me shqiptarët e Kosovës luajnë luftash për bashkim, duke inskenuar dhe shfaqje si e sotmja që na turpërojnë si komb për qeverinë që kemi në Tiranë, ndërkohë që në luftën e tyre mizerabël për pushtet në vite furnizuan me naftë Milosheviçin, kur tërë bota e mbante të rrethuar si armik të njerëzimit dhe të shqiptarëve; persekutuan në Tiranë liderët e UÇK-së dhe e sulmuan publikisht me shpifje UÇK-në si bandë narkotrafikantësh marksiste-leniniste; ndërsa sot provokojnë miqtë e partnerët tanë të pazëvendësueshëm, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, me një retorikë perverse që kërcënon të hedhë në erë, të gjitha arritjet madhështore të shqiptarëve si komb në këto vite falë mbështetjes së këtyre miqve e partnerëve.Sot opozitës shqiptare i lind e drejta ta akuzojë qeverinë e Republikës së Shqipërisë, si një grusht personash që atdhe të vetëm kanë pushtetin dhe kryetarin e kësaj qeverie, si një personazh që ilustron me të gjithë qenien dhe retorikën e tij atë shprehjen e famshme të qytetërimit demokratik: Retorika nacionaliste është streha e fundit e zullumqarëve!” deklaroi ai.
Menjëherë pas kësaj, Kuvendi i Shqipërisë hodhi poshtë denoncimin e kreut të Partisë Socialiste, se nuk opozita nuk ka marrë ftesë në mënyrë institucionale për të qenë e pranishme në seancën solemne me rastin e 5 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Përmes një njoftimi Kuvendi, bën me dije se përveç publikimit dje në faqen zyrtare të tij, si përherë janë njoftuar me telefon për këtë seancë sekretaret e të gjitha Grupeve Parlamentare, (përfshirë atë të PS-së ).
“Pas lajmërimit të bërë dje, sekretarja e grupit të PS-së ka kërkuar në emër të zotit Ruçi të dijë edhe programin. Në të njëjtën kohë, dje sekretaret e Seancës Plenare kanë lajmëruar të gjithë deputetët e pranishëm në seancën e djeshme për ceremoninë e ditës së sotme. Deklarata e sotme e Zotit Rama është gjëja më e pavërtetë.”- thuhet në deklaratën e Kuvendit.
Të pavërtetat e Ramës, vijon më tej Kuvendi, nuk i bëjnë mirë askujt, është vetë ai që nuk i ka lënë deputetët e vet të marrin pjesë në këtë ceremoni të një përvjetori historik siç është 5 vjetori i Pavarësisë së Kosovës.
Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur sot një seancë solemne me rastin e 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se nacionalizimi shqiptar është qytetar dhe se nuk ka pretendime territoriale.
Ndërsa, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli theksoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qënë një moment i veçantë dhe i jashtëzakonshëm pasi u celebrua liria e të gjithë shqiptarëve.
Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008 dhe deri më sot është njohur nga 96 vende në mbarë botën, ndërsa pavarësia e saj kundërshtohet nga Serbia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat