Spiropali pret ambasadorin holandez: Përparim i bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat

Shqipëria

Spiropali pret ambasadorin holandez: Përparim i bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat

Më: 7 gusht 2024 Në ora: 20:34
Pamje nga takimi

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali pati sot një takim me Ambasadorin e Vendeve të Ulëta, Reinout Vos.

Bashkë me urimet për zgjedhjen Kryetare e Kuvendit, Ambasadori Vos shprehu angazhimin e qeverisë holandeze për vazhdimin e bashkëpunimit  dhe mbështetjes së Shqipërisë për zhvillimin, mirëqenien dhe konsolidimin e institucioneve dhe vlerave demokratike.

“Diskutuam për të shfrytëzuar momentumin e marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe për të shkuar më tej në bashkëpunimin politik, ekonomik dhe tregtar, me përparësi në sektorët e bujqësisë, turizmit, nxitjes së investimeve, arsimit etj., bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, rendit publik, luftës kundër korrupsionit etj”, u shpreh Spiropali në një postim.

Kryeparlamentarja theksoi se, bashkëpunimi shumë i mirë parlamentar mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të Holandës do të nxisë përparimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat e mësipërme.

Ambasadorit Vos i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e Holandës për zhvillimin, demokratizimin, anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe avancimin e reformave dhe bindjen se kjo mbështetje do të vijojë”, theksoi Spiropali.

“Vlerësova veçanërisht mbështetjen nëpërmjet Organizatës së Vendeve të Ulëta për Zhvillim, SNV, për zhvillimin e qëndrueshëm, modernizimin e bujqësisë, rritjen e aksesit të popullsisë në shërbimet jetike bazë, fuqizimin e komuniteteve lokale etj”, u shpreh kryeparlamentarja.

Shqipëria dhe Holanda janë partnerë në NATO, OKB, organizata të tjera ndërkombëtare si edhe në kontributet për mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe lirisë së kombeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat