Bardhi akuzoi drejtorin e Policisë së Shkodrës, Karamuço përgënjeshtron deputetin e PD: Sulaj është kërcënuar disa herë

Shqipëria

Bardhi akuzoi drejtorin e Policisë së Shkodrës, Karamuço përgënjeshtron deputetin e PD: Sulaj është kërcënuar disa herë

Më: 13 shtator 2024 Në ora: 09:24
Ervin Karamuço

Deputeti Gazment Bardhi akuzoi dje nga salla e parlamentit drejtorin e Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj si të emëruar nga bandat kriminale.

Bardhi lexoi disa mesazhe nga aplikacioni i koduar “SKY ECC”, ku sipas tij, dy persona të inkriminuar diskutonin se emërimi i Sulajt në krye të policisë së Shkodrës, ishte në favor të tyre.

Por për ekspertin e kriminalistikës, Ervin Karamuço, diçka e tillë është e pavërtetë për faktin se në vitin 2021, Sulaj nuk ishte pjesë e policisë në asnjë qytet në veri të vendit.

Karamuço madje tha se Sulaj është kërcënuar disa herë nga grupet kriminale. Sipas tij, Sulaj ka asgjësuar 400 mijë rrënjë kanabis në të gjithë territorin e Shkodrës, duke i hequr krimit të organizuar qindra-miliona euro nga duart.

Deklarata e Karamuços në emisionin Top Story në Top Channel:

Ajo që është diskutuar sot në ato retorika politike është totalisht e gabuar. Drejtuesi i parë Sulaj, në vitin 2021 nuk ka qenë fare në asnjë lloj qyteti që i përket veriut të Shqipërisë, aq më tepër në Shkodër.

Disa janë të zbardhura, disa jo. Ky është shqetësimi më i madh, se autoritetet e huaja nuk na i sjellin për t’i çuar në parlament, por për t’i hetuar SPAK. Dikush nga funksionarët e SPAK është duke bërë një gabim shumë të madh duke i nxjerrë këto.

Disa prej tyre, anëtarë të grupeve kriminale, nuk e dinin deri dje se çfarë mendimi kishte rivali, ndërsa shkonin për drekë ai i thoshte merre dhe vrite. Këto gjëra nuk i dinin, ndaj dhe mund të shkaktojnë dhunë nxjerrjet e mesazheve.

Shkodra ditët e fundit është kthyer në Palermo, drejtori i Shkodrës nuk e ka pranuar, por unë ia kam thënë publikisht, je kërcënuar disa herë. Nuk mundet që këtë person ta zhvendosim në vitin 2021 dhe t’i themi je pjesë e bandave, kur ai ka asgjësuar 400 milionë euro, kanabis bandave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat