Nga ballkoni i shtëpisë së tij, Sali Berisha tha se Edi Ramës do të mbesë në historinë e Shqipërisë si shkatërrimtari më i madh i shkollës në Shqipëri pas Enver Hoxhës.
Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju, qëndrestareve dhe qëndrestarëve të pamposhtur, misionarëve të kauzës së drejtë të shqiptarëve. Mirënjohje të përzemërt oratorëve të fjalës së lirë në këtë platformë qytetare si dhe protestuesve të sotëm tek Bashkia e Tiranës, të cilët janë të vendosur në betejën gjer në fitore, pa kthim gjersa të pastrojnë bashkinë nga njeriu, nga hajduti më i shpërfytyruar që Tirana ka njohur, Erion Veliaj.
Të dashur miq, këto ditë Edi Rama, i diskredituar në shkallë ekstreme nga rrënimi që pësoi sistemi arsimor gjatë qeverisjes së tij, kalon nga një shkollë në një shkollë tjetër. Përpiqet të zbusë imazhin e tij të nxirë me pafajësinë e vogëlushëve në shkollat tona, por natyrisht dhe frikën që u mbjell mësuesve tanë.
Sonte do t’i them Edi Ramës se në historinë e Shqipërisë do mbetesh, meqenëse shkon çdo ditë në shkolla, do të mbetesh shkatërrimtari më i madh i shkollës në Shqipëri pas Enver Hoxhës. Edi Rama, asgjë më të dhimbshme pas dëbimit të shqiptarëve nga Shqipëria nuk ka se mjerimi i fëmijëve dhe rrënimi i arsimit. Por ti nuk ke ndjenja, ty vjedhja, lidhjet e krimit të kanë zhveshur nga ndjenjat njerëzore.