Socialistët vijojnë me mbledhje për përgatitjet dhe planin për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm, teksa mbrëmjen e sotme është mbledhur Asambleja e PS-së për Tiranën.
Mbledhja e mbajtur me dyer të mbyllura ka zgjatur për rreth 1 orë e 40 minuta, ku kryeministri Edi Rama ka ndarë detyra dhe u ka dhënë porosi të tijëve.
Mësohet se nr.1 i Qeverisë u ka kërkuar anëtarëve të Asamblesë, sidomos të rinjëve, një angazhim më të madh në terren, koordinim me strukturat, përdorimin më shumë të rrjeteve sociale, sidomos TikTok-ut, si dhe afrimin e prurjeve të reja në PS.
Gjithashtu, është folur edhe për ndarjen e “skuadrave” për drejtuesit politik të PS-së në këtë qark.
Në takimin e sotëm mësohet se nuk ka qenë e pranishme kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali për shkak të agjendën së saj, teksa kanë qenë prezent Erion Veliaj dhe Ogerta Manastirliu.
Rama u ka ndarë detyrat dhe tre drejtuesve politik, ku Elisa Spiropali do të fokusohet tek bashkitë e tjera të Qarkut të Tiranës, si Vora, Kamza, Rrogozhina dhe Kavaja, përsa i përket përgatitjes së fushatës për zgjedhjet e ardhshme.
Ndërsa, Ogerta Manastirliu do të ketë në përgjegjësi koordinimin me strukturat e PS-së në Tiranë. Erion Veliaj do të jetë përgjegjësi kryesor përsa i përket fushatës dhe përgatitjes së skuadrave së PS-së në Tiranë.
Burime bëjnë me dije se kryeministri Edi Rama ua ka bërë të qartë anëtarëve të Asamblesë se kanë si synim një rezultat më të mirë se ai i vitit 2021 në Qarkun e Tiranës.