Më 13 shtator 2024, media “DerSpiegel”, publikoi deklarimet e disa hetuesve shqiptarë, se krerët e qeverisë, janë të lidhur me krerët e trafikut të drogës e krimit të organizuar që pastrojnë milionat në biznese, madje komandojnë dhe kryeministrin Edi Rama.
Ndër trafikantët e lidhur me qeverinë edhe si mbështetës i PS në zgjedhje, është grupi i trafikut të drogës e vrasjeve me pagesë, i drejtuar nga Andrea Çaushi, alias Renato Çaushi.
Ky ka shumë biznese legale e ilegale, të pa kontrolluara nga tatimet e anti-krimi, por ka zaptuar dhe pasuri shtetërore, i lejuar nga kryeministri Edi Rama e i pa prekur nga drejtësia.
E tillë është Kalaja e Lëkurësit në Sarandë, të cilën Andrea Çaushi e ka tjetërsuar në resort luksoz, me të ardhurat nga trafiku i drogës, gjobë vëniet, pastrimi i parave dhe aktivitete të tjera kriminale në Shqipëri, Greqi, Spanjë e Itali.
Në këtë objekt historik, ekzemplari i botës së krimit Andrea Çaushi, u fut si ortak me 25% me ish-deputetin dhe ish-ministrin e LSI, Vangjel Tavo, aktualisht Kryetar i Bashkisë-Himarë, zaptuar gjatë pushtetit dhe regjistruar në emër të të birit Thoma Tavo e nipit Harallamb Tavo.
Në 7 objektet dhe 11 mijë m2 truall të Kalasë së Lëkurësit në Sarandë, shfrytëzuar pa paguar qira e taksa në shtet; ata investuan 2.2 milionë Euro për bar-kafe, restorante, hoteleri, zonë plazhi, qendra argëtimi e shërbime të tjera turistike; 1.5 milionë Euro prej të cilave, ua dha me fajde trafikanti Andrea Çaushi, duke u bërë dhe ortak me 25% të resortit, ndërsa 500 milionë ishin kursime të deputetit Vangjel Tavo.
Por më 24 prill 2017, familja “Tavo” i dhuroi krye trafikantit Andrea Çaushi, 50% të biznesit te Kalaja e Lëkurësit, si detyrim i vlerës së fajdesë, ndërsa më 12 korrik 2023 i dhuroi dhe 25% e u bë 100% pronar i resortit të Kalaja e Lëkurësit në Sarandë, megjithëse është pronë shtetërore.
Një muaj pasi Andrea Çaushi i bë pronar i resortit, qeveria me Vendim Nr. 501, datë 24 gusht 2023, urdhëroi Ministrinë e Kulturës, të largonte biznesin privat nga Kalaja, ta pastronte nga ndërhyrjet dhe ta administronte shteti si objekt muzeal historik me objekt turizmin.
Por vendimi ishte sa për show, sikur po mbrohen objektet e trashëgimisë, sepse ish-ministrja Elva Margariti me porosi të Bablokut, nuk e zbatoi urdhrin për “çlirimin” e Kalasë së Lëkurësit nga trafikanti Andrea Çaushi; madje prej 1 viti nuk e zbaton as ministri Blendi Gonxhe.
Krye trafikanti, gjobë vënësi e vrasësi me pagesë Andrea Çaushi, vazhdon të mbajë të “pushtuar” Kalanë e Lëkurësit në Sarandë, madje në muajin qershor 2024, në pazar të heshtur me Bablokun, ai zaptoi dhe 3250 m2 tokë shtetërore pranë kësaj kalaje.
Pra, ndërkohë që SHBA-BE, bëjnë thirrje për luftë kundër eksponentëve të krimit të organizuar dhe sekuestrimin e pasurive të tyre, kryeministri Edi Rama lejon krimin e organizuar të zaptojë e kthejë në biznese pasuritë shtetërore; si Kalaja e Lëkurësit.
Përveç pushtimit të kalasë, resortit pa leje, pa taksa e tatime, SHISH e Anti-trafiku kanë raportuar disa herë, se si Andrea Çaushi e ka kthyer resortin te Kalaja e Lëkurësit, në qendër shitje e droge dhe fshehje personash në kërkim, por policia nuk vepron sepse e ndalon kryeministri.
Po SPAK-un kush e ndalon të zbatojë ligjin anti-mafie, për të sekuestruar resortin te Kalaja dhe pasuritë e këtij trafikanti, të cilit ia ka dosjen e trafikimit të 900 kg. drogë e krime të tjera të rënda?!/