Ish-kryeministri Berisha ka buxhetin e vet por thotë se ai nuk e administron atë. Ky ishte shpjegimi që dha Berisha për faktin se SPAK në dosjen me dyshimet për korrupsion, evidenton se shumë prej shpenzimeve të tij, për mbulim shëndetësor apo të tjerë, i ka mbuluar ndër vite vajza dhe dhëndri i tij.
“Sali Berisha ka kursimet e veta, të deklaruara qindarkë për qindarkë në ILDKPI. Nuk është marrë kurrë me administrimin e tyre, edhe të miat edhe të Lilit, i administron vajza jonë, Argita Malltezi.”, u shpreh ai.
Në konferencën e dytë që mbajti nga shtëpia, Berisha tregoi në vijim si menaxhohen paratë në familjen e tij dhe si paratë nga dalë nga buxheti i vajzës dhe dhëndrit, që njëkohësisht është i pandehur për korrupsion aktiv.
“Lidhur me shërbimet shëndetësore. Po ju rrëfej një sekret. Në të gjitha rastet në mënyrë absolute ajo ka marrë një porosi nga unë; këto shpenzime do ti marrësh nga kursimet e mi. Ajo nuk e ka zbatuar këtë porosi. Ajo ka gjykuar se këto shpenzime ti përballojë me kursimet e saj. Dhe unë i jam shumë mirënjohës për këtë, asaj, Abit dhe cilido që ka kontribuar. Ne jemi një familje me solidaritet të madh familjar, si çdo familje shqiptare.”
Por Berisha duket se nuk i frikësohet fakteve në dosje, me pretendimin se çdo transaksion ka qenë konform ligjeve.
“E rëndësishmja është kjo; nga vijnë këta para? Dhe Argita e Jamarbër Malltezi i kanë të gjitha të deklaruara qindarkë për qindarkë në ILDKPI. Aq të deklaruara dhe të sakta i ka, sa mercenarët e Skapit duke mos pasur kërkund të kapen, shkojnë e nxjerrin transaksione të 30 viteve më parë, mes Abi Malltezit që në atë kohë merrje me real estate dhe biznesmenit Damir Fazlliç.”