Primaret e Berishës po marrin goditje ende pa nisur akoma. Pakënaqësia ka filluar nga ish grupi i Bardhit, fraksioni dikurshëm në selinë blu, i cili i braktisur nga kreu i tyre plangprishës, i cili siguroi një vend në listë e sigurt të Berishës, po braktis procesin.
Dy nga mbështetësit e kreut të grupit parlamentar, Helidon Bushati dhe Ferdinand Xhaferaj lajmërojnë se nuk do të kandidojnë në primare për një mandat tjetër deputeti.
Deputeti i Shkodrës, e konsideron një akt personal të përgjegjshëm.
“Personalisht, kam zgjedhur të mos mos marr pjese ne primaret dhe si rrjedhoje heq dore nga aspirata per te qene kandidat per deputet, Ky nuk është thjesht një vendim personal, është një akt përgjegjësie politike dhe morale.”, tha Helidon Bushati.
Bushati nuk mohon angazhimin në fushatë, por mes rreshtash kërkon reflektim, modernizim dhe përbashkim të PD.
Një tjetër mbështetës i Bardhit, por kritik i Berishës, Ferdinand Xhaferaj konfirmon për Abc Neës se nuk do të kandidojë në primare, duke e akuzuar procesin të iniciuar nga kryetari i PD.
“Nuk e di të ketë primare në konceptin që ekziston për primaret. Kam qenë dhe mbetem kundër. Unë primaret i kam bërë pesë herë në qytet dhe s’më duhen primaret në oborrin e z. Berisha.“, thekson Ferdinand Xhaferraj.
Si Xhaferaj dhe Bushati, pas përçarjes se PD u rreshtuan krah Bashës, por me divorcin e dytë mbështetën Bardhin.
Tashmë që Berisha i fali Bardhit vendin e sigurt në listë dhe mandatin e deputetit si drejtues politik, deputetët e tjerë do të hyjnë në primare, për tu përballur me votat e demokratëve të Berishës që në 8 janarin e famshëm në PD, i pritën me sharje, hunj dhe Gaz.
Por primaret po refuzohen dhe nga të besuarit e Berishës. Indrit Hoxha, anëtar kryesie, i cili në 2023 falë primareve garoi në zgjedhjet lokale në Vorë, të cilat i humbi me rezultat të thellë, ka refuzuar të jetë pjesë e këtij procesi.
Në një status në rrjetet sociale, Hoxha nuk jep arsyet e kësaj tërheqje, duke lënë enigmë nëse ka pakënaqesi nga primaret, apo e sheh të pamundur të fitojë.
“Pas një reflektimi të thellë dhe me përgjegjësinë më të madhe ndaj jush dhe ndaj misionit tonë të përbashkët, kam vendosur që të mos jem pjesë e garës në primaret për kandidatët për deputet. Ky nuk është një tërheqje, por një angazhim i ri për të forcuar Partinë Demokratike dhe për të mbështetur çdo përpjekje që na çon drejt fitores.”, u shpreh Indrit Hoxha.
Ajo që është e dukshme është se procesi i primareve po përgatit terrenin ndaj humbjes, ndërkohë që shtohet lista e kritikëve të ardhshëm të Sali Berishës.