Së paku 10 deputetë. Ky është objektivi për rekord që Edi Rama u ka vendosur socialistëve në Fier, teksa nga një takim i sotëm ku prezantoi kandidatët për deputet, u shpreh se PD dhe opozita nuk kanë asnjë shans përballë të majtës në këtë qark.
“Në Fier do thyejmë rekord në vota. Në Fier nuk ka shans askush tjetër, përpos PS. Ata nuk kanë çfarë të fitojnë. Kush nuk voton PS-në, hedh votën kot. Do jetë rezultat spektakolar. Objektivi ynë është minimumi 10 deputetë. Pastaj, nëse punojmë më fort, mund të kemi edhe më shumë se kaq deputetë në parlament”, u shpreh kreu i mazhorancës.
Më tej, shefi i qeverisë u ndal te lista e kandidatëve të Partisë Demokratike, duke e cilësuar humbëse dhe u shpreh se Sali Berisha po përgatit fjalimin e disfatës për në 12 Maj.
Ironinë nuk e kurseu aspak teksa u ndal të komentonte procesin e Primareve në PD, duke u ndalur madje edhe te emra specifikë që mbetën jashtë listës pavarësisht se triumfuan në garën e brendshme.
“Ne nuk kemi bërë primare por ata nuk kishin Primare por papare... Ata që fituan i lanë jashtë. Kryetari i PD-së në Kavajë del i pari në qark dhe ata e lënë jashtë. Po të shikosh listën e kënetës ajo është listë për në opozitë. Është bërë për të qenë me një tufë qorrash e shurdhësh e kua-kuashë në opozitë. As shohin as dëgjojnë vetëm recitojnë. Kua Kua! Është bërë gati për të qenë në opozitë e në 12 maj jo për të çliruar TikTok, se nuk ka çfarë çliron por për të thënë na i vodhën, fituam por na e morën. Pse duhet atëherë demokratët të hedhin votën kot? Për një grup që thjesht funksionon si grup interesi i ngushtë që është përgatitur për të qëndruar në opozitë”, tha Rama.