Dy përplasje fizike ku kanë mbetur të rrahur Edmond Sakicaj dhe Vladimir Buçi, sollën rënien në burg të dy personazheve të njohur të botës së krimit në Shkodër, Izmir Sakicaj dhe Samuel Troshani.
Në shenjë hakmarje ndaj Alban Bruçit që kishte rrahur për pakimin e makinës, babain e Izmirit, Edmond Sakicaj, dy personazhet e mësipërme së bashku me Arlind Kajoshin dhe Samet Hallunin, shkojnë dhe rrahin brutalisht babain e Albanit, Vladimir Brucin.
Rrahja e Brucit është bërë në sy të bashkëshortes së tij, ndërsa për shkak të dëmtimeve të mara ai është shtruar në spitalin e Shkodrës.
Sipas mjekëve për shkak të goditjeve me mjete të forta dhe mjete prerës, Bruci ka pësuar dëmtime në kokë, një frakturë në brinjën e 8-të dhe trauma cranial.
Dy nga 4 personat autorë të këtij krimi, u vetëdorëzuan në polici dhe aktualisht ndodhen në burg. Ndërsa dy të tjerët Arlind Kajoshi dhe Samet Halluni, vijojnë të jenë në kërkim.
Sipas dinamikës së ngjarjes që ndodhet në dosje në 3 qershor, Alban Bruci, ka rrahur Edmond Sakicaj për shkak se ky i fundit i kishte zënë vendin e parkimit të makinës.
Më pas Alban Bruci është larguar nga vendngjarja duke shkuar fillimisht tek P. Bituni, të cilit i ka thënë:”...Axhë, kam debatuar me Ed Sakicën...”, duke i pohuar se me të vetëm sa ishin shtyrë.
Në dijeni të këtij sherri është vënë djali i Edmondit, Izmir Sakicaj, i cili ka mbledhur shokët e tij, Samuel Troshanin, Samet Hallunin dhe Arlind Kajoshin dhe janë drejtuar për tek shtëpia e Alban Brucit, me qëllim për ta dhunuar.
Por në hyrje të pallatit, grupi prej 4 persona kanë parë Vladimir Brucin, babain e Albanit, të cilin e kanë sulmuar dhe goditur me grushte, shkelma e sende të forta duke e lënë pa ndjenja.
Vladimir Bruci, ka ngelur i shtrirë në tokë pa ndjenja, ndërsa me ndihmën e J. Topçija dhe gruas së tij, ai është dërguar në spital duke marrë mjekimin.
Pas verifikimit të pamjeve filmike, rezultuan se personat kanë qënë të armatosur me kallashnikov, një pistoletë dhe mjete prerëse. Por nga akti i ekspertimit të dy armëve të dorëzuara, rezultoi se ato ishin armë sportive me ajër.
Ndaj tyre u regjistrua një dosje hetimore për akuzën e “Kanosjes” dhe “Plagosjes së lehtë me dashje” në dëm të Vladimir Brucit.
Në muajin Janar 2025, Sakicaj dhe Troshani, u vetëdorëzuan në polici, ku sot e kësaj dite vijojnë të mbahen në burg për këtë ngjarje.
Ndërkohë në 18 shkurt 2025, Troshani dhe Sakicaj, teksa ndodheshin në burgun e Reçit, janë arrestuar nga SPAK si pjesëmarrës në ngjarjen e rëndë të sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen e vëllezërve Prendi në Vaun e Dejës.