Në Këshillin e Ministrave është miratuar këtë të enjte vendimi për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për kompensimin e menjëhershëm financiar, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës për punonjësit e policisë së shtetit.
Sipas njoftimit punonjësi i policisë së shtetit në rast të dëmtimit të rëndë për shkak të detyrës mund të përfitojë një kompensim deri në 1 000 000 lekë, sipas akteve të vlerësimit të dëmit.
Punonjësi i Policisë së Shtetit, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, përfiton kompensim të menjëhershëm financiar deri në 1 000 000 lekë, sipas akteve të vlerësimit të dëmit.
Punonjësi i policisë e përfiton kompensimin e menjëhershëm financiar kur:
a) prona i është dëmtuar si pasojë e një vepre penale, e kryer në dëm të tij për shkak të detyrës, dhe rasti është referuar në prokurori, ose prona i është dëmtuar aksidentalisht gjatë përdorimit të saj nga punonjësi i policisë për përmbushjen e detyrave zyrtare;
b) punonjësi i policisë disponon dokument, që vërteton titullin e pronësisë/bashkëpronësisë mbi pronën e dëmtuar, ose provon që këtë pronë e ka në proces legalizimi;
c) nuk ka përfituar dëmshpërblim nga një shoqëri sigurimi për dëmtimin e pronës.
Për përfitimin e kompensimit të menjëhershëm financiar, punonjësi dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit, duke parashtruar faktin e dëmtimit;
b) Kopjen e shkresës për referimin e veprës penale në prokurori, në rastin kur prona është dëmtuar si pasojë e një vepre penale, e kryer në dëm të tij, për shkak të detyrës, dhe rasti është referuar në prokurori;
c) Kopjen e noterizuar të dokumentit, që vërteton titullin e pronësisë/bashkëpronësisë së pronës së dëmtuar, apo që provon se këtë pronë e ka në proces legalizimi;
ç) Aktin e vlerësimit të dëmit nga një ekspert i licencuar.