Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq tre shtetas për veprat penale ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’, ‘Shpërdorimi i tokës’, ‘Ndërtim i paligjshëm’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga nenet 289 pg.1, 199, 199/a pg.4 dhe 248 të Kodit Penal.
Në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.1418, të datës 16.09.2024, rezultoi se më 14.09.2024, në fshatin Suk-1, Njësia Administrive Strum, Bashkia Roskovec, ka humbur jetën shtetasi S.B, si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike. Viktima S.B, teksa punonte në kantierin e shtetasit E.D, (I pandehur), ka rënë në kontakt me linjën e transmetimit të energjisë elektrike e cila ndodhej në afërsi të objektit pa leje që po ndërtohej nga i pandehuri E.D.
Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar fakti penal, që lidhet me veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, parashkuar nga neni 289 pg.1 i Kodit Penal, vepër e konsumuar prej shtetasi E.D. Ky shtetas rezulton se me cilësinë e ndërtuesit/porositësit, investitorit, nuk ka marrë masat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes në punë.
Nga ana e tij është realizuar një ndërtim pa leje, ku nuk ishte marrë asnjë masë në funksion të sigurimit të kushteve të punës apo sigurimit teknik në kantier. Detyrimi për marrjen e masave të sigurimit teknik dhe mbrojtjes në punë buronin për të pandehurin nga ligji nr.10287 datë 18.02.2010 “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, V.K.M-në Nr.312, datë 5.5.2010 “Për Miratimin e Rregullores “Për sigurinë në kantier”, V.K.M nr.312/5.5.2010 dhe “Rregullore për sigurimin teknik për punën në ndërtim”.