U martua me 13-vjeçaren rome dhe u bë me fëmijë, fiton lirinë Dritson Kurti

Shqipëria

U martua me 13-vjeçaren rome dhe u bë me fëmijë, fiton lirinë Dritson Kurti

Më: 16 qershor 2025 Në ora: 16:41
Gruaja rome

Gjykata e Shkallës së Parë së Korçës, ka shpallur fajtor 21-vjeçarin, Dritson Kurti, pēr veprën penale “marrëdhënie seksuale me tē mitur”, por e ka vendosur në shërbim prove për njē periudhë 5 vjeçare.

Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ka kērkuar shpalljen fajtor të Kurtit, duke kërkuar 7 vite burg, të cilat nē aplikim të gjykimit të shkurtuar, shkojnë në 4.8 vite. Ishte po organi i akuzës që i kërkoi gjykatës pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burg dhe vënien e Kurtit në shërbim prove për një periudhë 5 vjeçare, raporton gazetarja Daniela Zizi.

Avokati i Kurtit, Enea Cenko, u shpreh se klienti i tij nuk është i kënaqur nga ky vendim, pasi sipas tij duhej të shpallej i pafajshëm.

“Sot ishte një vendim për Dritson Kurtin. Gjykata e Korçës tashmë ka miratuar kërkesën e organit të akuzës që është shprehur për nenin 59 të Kodit Penal. E ka dënuar tashmë dhe gjykata e Korçës me një dënim prej 5 vitesh shërbim prove. Duhet theksuar që kjo gjë nuk na kënaq sepse unë vazhdoj të deklaroj që Dritson Kurti është i pafajshëm. Dua ta ritheksoj këtë fakt sepse nuk duhet të kënaqemi me nenin 59, për arsye sepse një pjesë e mirë e këtij komuniteti të nderuar në Shqipëri, që punojnë, e dashurojnë kulturën e njerëzit e mirë, duhet theksuar që këta si persona martohen që në djep sepse lidhen baballarët me njëri tjetrin dhe martojnë fëmijën që të vogël. Kjo është kultura e tyre, duhet ti respektojmë për këtë, gjithsesi ishte një moment i mirë procedurial që Dritsoni ti bashkohet familjes, të rrijë pranë vajzës së tij të mitur ku ende nuk e ka gëzuar. Duhet theksuar që është një rast që nuk është bërë me kallëzim nga bashkëjetuesja e tij, por është kallëzim i ngritur kryesisht. Edhe ne si mbrojtje kërkuam të aplikohej neni 59 i kodit të procedurës penale”, tha ai.

Më tej, avokati shton se çështjen do e çojë deri në Gjykatën e Strasburgut.

“Do të konsultohem edhe me Dritsonin, në rast që do e ndjekim këtë proces, unë do ta çoj deri në gjykatën e Strasburgut për të kërkuar pafajësinë e vërtetë sepse ai është i pafajshëm. 70-80% e këtij komuniteti janë në këto kushte”, u shpreh ai.

Sakaq, një thirrje pati nga ana e avokatit të Kurtit për institucionet vendase.

“Me këtë rast i bëj thirrje të gjithë institucioneve përkatëse, të ndërmarrin një iniciativë ligjore, komisionet parlamentare të ulen të diskutojnë, duke marrë parasysh dhe konventat europiane, të bashkëbisedojnë me ndërkombëtarët për të rishikuar kodin penal sepse nesër pasnesër mund të ketë të tilla situata sepse kjo është një kauzë”, tha ai.

Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë duke caktuar shërbim prove për Kurtin, për 5 vjet.

Versioni i familjarëve të Dritson Kurtit

Bashkëjetuesja e tij, A.Jonuzi, asokohe është shprehur e habitur nga çështja, pasi sipas saj ata janë martuar me dëshirë dhe sipas traditës. Nga kjo martesë, ata kanë e një vajzë, që Dritsoni ende nuk e ka parë që nga koha kur lindi.

E mitura tha se 21-vjeçari bënte dy punë të ndryshme dhe se ajo nuk është marrë me dhunë, por prindërit e kanë dhënë vetë.

“Vetëm burri punonte, edhe ditën edhe natën. Ditën shkonte punonte në fushën e druve e natën punonte tek plehrat. Pse tani prokuroria ka dhënë 25 vjet, për çfarë arsye? Mua më kanë dhënë vetë prindërit me duart e veta, nuk më ka marrë me dhunë. Unë dua të më lirojnë burrin se nuk ka kush më ushqen. Unë vetëm me nënën rri. Ai është i pafajshëm e nuk më ka marrë me dhunë që t’i vendosnin 25 vite. Ai nuk ka bërë asgjë. Burri nuk e ka parë vajzën, as unë nuk kam shkuar dot ta takoj. Unë kam 5 muaj që s’e kam parë, më ka marrë malli, as çupën nuk e ka marrë dot në krah. Më mori malli ta shikoj njëherë, çupën s’e ka marrë në krahë. Unë dua thjesht të ma lirojnë. Ça është kjo gjykatëse që i ka dhëne 25 vite. Ai nuk ka ndjerë erën e fëmijës se vet, çupa po rritet jetime pa baba. Dua të më lironi burrin, asgjë s’dua tjetër”, tha asokohe e mitura.

Të njëjtën gjë pohoi dhe gjyshja e të riut. Ajo u shpreh se fëmijët u martuan me marrëveshje me prindërit e vajzës. Madje ajo shprehet se për komunitetin e tyre është traditë që të martohen të rinj, duke shtuar se 7 nipër të tjerë nuset i kanë marrë po aq të vogla.

“Djalin e kemi martuar me marrëveshje me prindërit e gocës dhe kemi shkuar në Milot. U panë, e morëm, e sollëm. Lindi nusja 13-vjeçare. Ne e kemi si traditë që ne martohemi shpejt dhe këtë nipçen e zuri plumbi gropave. Çfarë ka bërë djali? As ka vrarë, as ka therur, asgjë s’ka bërë. Bënë një foshnjë dhe djali as e ka parë gocën fare. Sa e lindi, e pa edhe e morën, e ikën. Duam një orë e më parë të lutem të zgjidhni këtë problemin e këtij djali që është jetim e pa nënë. I ka vdekur e ëma, e mbaj unë nusen me gjithë fëmijë…

Vajzat tek ne i marrim 14 vjeçe. 7 nipa kam martuar nuset kanë qenë 12-13-14 vjeç. Ne e kemi traditë. Tani doli ky ligji këtij djalit? Më ndihmoni të më nxjerrin djalin nga burgu se vetëm unë me pension nuk e mbaj dot nusen e foshnjën”, tha ajo.

Dritson Kurti u arrestua në shtator të vitit te kaluar, pasi 13 vjeçarja me të cilën ai bashkëjetonte lindi fëmijën në Maternitetin e Korçës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat