Theu arrestin shtëpiak të Gjykatës për drogë, 35-vjeçari kapet përsëri me kokainë dhe rikthehet në qeli!

Shqipëria

Theu arrestin shtëpiak të Gjykatës për drogë, 35-vjeçari kapet përsëri me kokainë dhe rikthehet në qeli!

Më: 5 tetor 2025 Në ora: 12:38
Foto ilustrim

Theu masën e sigurisë “arrest në shtëpi” që i ishte caktuar nga Gjykata për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, rikthehet në qeli 35-vjeçari, që u kap përsëri duke shitur kokainë.

Policia e Elbasanit konfirmoi aksionin ditën e sotme (5 tetor) dhe njoftoi gjithashtu se gjatë kontrollit në banesë, të riut iu gjet dhe sekuestrua lëndë e dyshuar narkotike kokainë dhe peshore elektronike.

I arrestuari është A.K., kurse aksioni u krye nga Forca e Posaçme “Shqiponja”.

“Ky shtetas kishte dalë nga banesa e tij, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Në vijim të veprimeve procedurale, u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit A. K., ku u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë dhe peshore elektronike”, bëri me dije policia vendore.

Pas procedurave paraprake dhe rikthimit në qeli, dosja i kaloi Prokurorisë Elbasan, për veprat penale “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat