Ministri i Drejtësisë, Lamallari: Vrasja e gjyqtarit, trashëgimi e një sistemi të mbrapshtë

Shqipëria

Ministri i Drejtësisë, Lamallari: Vrasja e gjyqtarit, trashëgimi e një sistemi të mbrapshtë

Më: 9 tetor 2025 Në ora: 19:40
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, pasi nuk arriti të mbante fjalën në seancën plenare të Kuvendit, duke akuzuar opozitën për gjuhë urrejtjeje dhe politizim të rasteve tragjike.

Ministri thekson se viktimat e sistemeve të vjetra, përfshirë edhe rastin e gjyqtarit Astrit Kalaja, janë pasojë e “trashëgimisë së një epoke të mbrapshtë”, që sipas tij, vijon të prodhojë konflikte përmes ligjit 7501 dhe çështjeve të pazgjidhura të pronësisë.

Në përfundim, ai thotë se fushata e sulmeve dhe akuzave vazhdon sot me të njëjtin stil, duke pasur në shënjestër drejtuesin e SPAK.

Postimi i ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari: 

Në mungesë të një alternative të besueshme dhe një mbështetje gjithmonë e më e ulët, u ka mbetur veçse gjuha e urrejtjes, baltës dhe shpifjeve bajate, bashkë me lotët e krokodilit që gëzon sa herë ka viktima!
Është pikërisht kujtesa e një të shkuare që do të marrë fund njëherë e mirë me Shqipërinë evropiane, ajo që revolton çdo qytetar, i cili teksa endet në proceset e panumërta gjyqësore, i duhet të durojë hirin syve nga ata që linçuan, intimiduan dhe përndoqën krerë të institucioneve të drejtësisë, mundohen të fitojnë kapital politik mbi viktimat e një sistemi të mbrapshtë që lanë pas, i cili vazhdon e prodhon konflikte, me viktima qytetarë dhe shërbyes të ligjit!

Futën Shqipërinë në vëllavrasje me Ligjin e mbrapshtë 7501! Strumbullar i sa e sa konflikteve sociale, përçarjeve dhe dhunës mes shqiptarëve! Edhe çështja e fundit e gjykuar nga i ndjeri gjyqtar Kalaja, problem i mbrapshtë pronësie si mijëra të tjera ku shqiptarët ranë në kaosin dhe kurthin e një epoke që nuk do ta pranojë që i ka ikur vakti!

Ish Kreu i nderuar i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi ishte shënjestra e parë e një sulmi dhe përndjekjeje të paprecedentë që shpëtimin e vetëm kishte arratinë, i cili do të pasohej më pas nga ish-Prokurori i Përgjithshëm Sollaku nën akuzat e ulëta me qëllim të pastër denigrues dhe shpejt pasuesja e tij, Ina Rama, një grua së cilës iu desh të dëgjonte etiketimet më të ndyra ndërkohë që në mes të Tiranës kishte ndodhur një krim shtetëror me katër viktima të pafajshme. Sot, refreni i baltës, presionit dhe akuzave të shfrenuara padyshim ka në fokus Kreun e SPAK!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat