Dalin rezultatet e para nga numërimi në Bashkinë e Vlorës, kryeson ish-deputetja Mersini
Vijon procesi i numërimit edhe për Bashkinë e Vlorës, për zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit.
KQZ ka hedhur shifrat e në tabelë për këtë Bashki.
Aty kandidatja Brunilda Mersini e Partisë Socialiste po kryeson bindshëm ndaj dy kandidatëve të tjerë të pavarur, Dionis Sota që mbështet nga PD dhe Gjergj Nika.
Mbyllet orari zyrtar i votimit për zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashki
Mbyllet orari zyrtar i votimit të zgjedhjeve lokale në pesë bashki të vendit.
Qendrat e votimit në Mat, Cërrik, Berat, Vlorë dhe Tepelenë u hapën në ora 07:00 të mëngjesit të sotëm.
KQZ vendosi që votimet të mbylleshin në ora 18:00 dhe jo në 19:00 siç është traditë në zgjedhjet.
Kjo për shkak të stinës ku ndodhemi.
“Persona të paautorizuar prezentë në qendrat e votimit”- Policia e Elbasanit reagon pas denoncimit të kandidatit për bashkinë Cërrik
Policia e Elbasanit ka reaguar pas denoncimit të bërë nga Eligert Hima, i cili tha më herët për mediat se në qendrën e votimit pranë gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut ndodheshin persona që po intimidonin qytetarët.
Kandidati i “Shqipëria Bëhet” në Cërrik, Eligert Hima, tha se persona të paautorizuar qëndrojnë në hyrjet e qendrave të votimit, për të intimiduar votuesit.
Lidhur me pretendimin e tij, Policia thotë se nga verifikimet e kryera, nuk janë konstatuar shtetas në afërsi, apo pranë gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut.
Gjithashtu, sipas Policisë nuk ka patur persona të paautorizuar të grumbulluar jashtë Qendrave të Votimit dhe nuk është konstatuar asnjë problematikë.
Reagimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan:
Në lidhje me pretendimet e njërit prej kandidatëve për zgjedhjet vendore, se pranë gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut ndodheshin persona që po intimidonin qytetarët, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë.
Nga verifikimet e kryera, nuk janë konstatuar shtetas në afërsi, apo pranë gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut. Gjithashtu, nuk ka patur persona të paautorizuar të grumbulluar jashtë Qendrave të Votimit dhe nuk është konstatuar asnjë problematikë.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan mbetet plotësisht e angazhuar për të garantuar rendin, qetësinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe për të verifikuar me përgjegjësi çdo njoftim apo denoncim që mund të lidhet me këtë proces.
Zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki, KQZ publikon shifrat e para të pjesëmarrjes në votim
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat e para të pjesëmarrjes në votim për zgjedhjen e 5 kryebashkiakëve të rinj në vend.
Sipas të dhënave të raportuara deri në orën 08:00, pjesëmarrja në pesë bashkitë është:
Vlorë: 687 qytetarë kanë votuar, ose rreth 0.51%.
Berat: 580 qytetarë kanë votuar, ose rreth 0.83%.
Cërrik: 323 qytetarë kanë votuar, ose 0.97%.
Mat: 463 qytetarë kanë votuar, ose 1.96%.
Tepelenë: 182 qytetarë kanë votuar, ose 2.07%.
Voton kandidati i PS në Mat, Altin Bojni: Sot është dita e fjalës së qytetarëve
Kandidati i Partisë Socialiste në Mat, Altin Bojni, i është drejtuar kutive të votimit ditën e sotme, në zgjedhjet lokale.
Ai ka deklaruar se sot është dita e fjalës së lirë të votuesve, teksa u bën thirrje të gjithëve të votojnë.
“Sot është një ditë e rëndësishme për të ardhmen e bashkisë sonë. E diela është dita e votuesve, e votimit, dita e fjalës së qytetarëve. Ju ftoj të dilni në votime, me qetësi dhe dinjitet”, tha ai.
Altin Bojni është përballë dy kandidatëve të pavarur të mbështetur nga opozita, Eduart Brahilika dhe Suzana Pasha.
Nis votimi në Cërrik, qytetarët zgjedhin kryebashkiakun e ri, procesi pa probleme
Mbi 334 mijë qytetarë do të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakun e tyre në bashkitë Vlorë, Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë
Gazetarja e Top Channel, Bruna Kërçyku raporton se ka nisur votimi në të gjitha qendrat e votimit në Bashkinë Cërrik.
Deri më tani nuk raportohet për asnjë problematikë.
Katër qendra votimi në Vlorë nuk kanë nisur procesin, qytetarët nuk arrijnë të votojnë
Në shkollën industriale Vlorë ku janë katër qëndra votimi ende nuk ka nis procesi i votimit.
Janë duke u bërë përgatitjet e fundit.
Ndërkohë qe qytetarë që kanë dashur të votonit nuk e kanë kryer për shkak se ende nuk ka nis.
Nisin problemet e para të zgjedhjeve lokale në Berat, probleme me kamerat në një qendër votimi
Qendra e votimit 3270 në Berat edhe pse ora ka kaluar, votimi nuk ka filluar ende për shkak të një problemi me kamerat.
Zgjedhje edhe në Shqipëri, votojnë qytetarët e pesë bashkive
Sot në Shqipëri në pesë bashki do të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale, për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj.
Kutive të votimit u drejtohen qytetarët e Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit dhe Tepelenës.
Policia atje ka bërë të ditur se ka marrë një plan masash për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ku të cilët kanë marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve, si edhe 473 objekte që do të shërbejnë si qendra votimi.