​Zgjedhjet e pjesshme në Shqipëri, kjo është pjesëmarrja e votuesve deri në orën 09:00

Shqipëria

​Zgjedhjet e pjesshme në Shqipëri, kjo është pjesëmarrja e votuesve deri në orën 09:00

Më: 9 nëntor 2025 Në ora: 10:40
Foto ilustrim

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit të kësaj të diele (9 nëntor) në pesë bashki të vendit, ku po zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore.

Rreth 334 mijë qytetarë pritet t’i drejtohen 472 qendrave të votimit deri në orën 18:00, për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj të Matit, Tepelenës, Vlorës, Beratit dhe Cërrikut.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote është afro 172 mijë në Vlorë, mbi 82 mijë në Berat, rreth 39 mijë në Cërrik, mbi 29 mijë në Mat dhe mbi 12 mijë e 600 në Tepelenë.

Në këto zgjedhje të pjesshme, në Vlorë garojnë për të marrë drejtimin e Bashkisë, kandidatja socialiste Brunilda Mersini përballë Dionis Sotës, kandidatit të mbështetur nga opozita, si dhe anëtarit të këshillit bashkiak nën siglën e demokratëve Gjergj Nika.

Për bashkinë e Beratit, në garë sot janë kandidati socialist Ervin Caka dhe kandidati i mbështetur nga opozita Pavlo Shkarpa.

Për bashkinë e Matit në garë janë kandidati socilaist Altin Bojni dhe Eduard Brahilika, i mbështetur nga opozita.

Në Cërrik, kandidati socialist Florenc Doka përballet me dy kandidatët e pavarur, Amarildo Hoxha i mbështetur nga Partia Demokratike dhe aleatët, dhe Eligert Hima propozuar nga Partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.

Për bashkinë e Tepelenës garojnë kandidati socialist Gramoz Sako, ndërsa opozita ka mbështetur të pavarurin Gabriel Guma, transmeton RTSH.

Kryebashkiakët që do të dalin fitues nga këto zgjedhje do të kenë një mandat njëvjeçar e gjysmë, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të radhës lokale në pranverën e vitit 2027.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat