Atentati ndaj Gilmando Danit/ Dalin pamjet, mjeti i viktimës merret për ekspertizë

Shqipëria

Atentati ndaj Gilmando Danit/ Dalin pamjet, mjeti i viktimës merret për ekspertizë

Më: 11 nëntor 2025 Në ora: 19:08
Vetura

Zbardhen detaje të reja nga atentati mafioz i ndodhur pasditen e sotme pranë zonës së Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani Sheqeri, punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Pak orë pas ngjarjes, forcat e policisë kanë gjetur të djegur në një përrua pranë aksit Fushë-Krujë – Krujë, midis fshatrave Halil dhe Zallë, automjetin që dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit.

Brenda makinës së shkrumbuar janë gjetur tre armë tip kallashnikov dhe një pistoletë, që mendohet se janë përdorur në ngjarje nga autorët, të cilët ende nuk janë identifikuar.

Sipas burimeve, zona ku u gjet automjeti është shumë e vështirë për t’u arritur me mjet, pasi ndodhet në një terren të thepisur, shteg këmbësorësh dhe kullotash, e aksesueshme vetëm në këmbë.

Policia ka ngritur pika kontrolli në disa akse rrugore përreth dhe po punon për identifikimin e autorëve.

Grupi hetimor po analizon pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, ndërsa armët e gjetura janë dërguar për ekspertizë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat