Parlamenti mbyllet pas mesnate, Meta: Seanca vijon të dielën, do votohet programi

Shqipëria

Parlamenti mbyllet pas mesnate, Meta: Seanca vijon të dielën, do votohet programi

Më: 15 shtator 2013 Në ora: 07:02

Kuvendi nisi debatin të shtunën paradite rreth programit qeverisës 2013-2017, i prezantuar nga kryeministri i dekretuar, Edi Rama. Seanca u mbyll pas mesnate, të dielën ora 01:10 minuta, për të vijuar paraditen e se dielës, ora 09:00. Në debatin gjatë kësaj seance maratonë, deputetët e opozitës e kundërshtuan programin duke e konsideruar një 'manifest politik, që i mungon vizioni'. Sipas tyre, programi është një përshtatje e mashtrimeve elektorale, që do t'i kushtojnë vendit 'frenim dhe krizë'. Ndërsa për socialistët gjendja ekonomike e lënë nga qeveria parardhëse është sfida kryesore me të cilën do të përballet qeveria e re. Sipas tyre, çdo premtim i bërë nga mazhoranca është detyrim i programit qeverisës. Debati, i nisur paraditen e së shtunës, pritet të vijojë edhe të dielën kur pritet të bëhet edhe votëbesimi i qeverisë.

Pasi ministrat iu përgjigjën 26 pyetjeve të depozituara vetëm nga deputetët e majtë, u votua edhe për zgjedhjen e Edmond Spahos si zv/kryetar i Kuvendit. Spaho u propozua nga PD. Më pasi nisi debati i deputetëve, ku ministrat e kabinetit 'Rama', kishin të drejtë të mbronin programin qeverisës për fushat përkatëse. Ligjvënësit e djathtë refuzuan të bënin pyetje për programin qeverisës, pasi ato e cilësuar 'plagjiaturë' dhe 'bosh'.

Pak para se të nisë kjo seancë, kreu i PD-së Lulzim Basha u shpreh se të djathtët do jenë në Kuvend për të bërë ‘oponencën e fuqishme politike dhe profesionale ndaj broshurës së ricikluar para dy ditësh në Kuvendin e Shqipërisë, një manifesti turli i eksperimenteve të vjetra”, sic tha ai.

Në prag të seancës plenare, kreu i Kuvendit, Ilir Meta në një takim me ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi premtoi se do nxisë brenda sallës së Kuvendit një frymë konstruktive dhe bashkëpunuese.

Dy ditë më parë kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, konfirmoi se në seancën e sotme do të flasin të gjithë deputetët. Ndërkohë që edhe ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, konfirmoi se seanca do të bazohet në rregulloren që ka të përcaktuar Parlamenti, ku secili ministër do të referojë programin në bazë të debateve të opozitës. Njëherësh do të jenë edhe një grup deputetësh të majtë që do të mbrojnë programin, të cilët kanë asistuar në hartimin e tij.

PARLAMENTI MBYLL DISKUTIMET, VIJOJNË TË DIELËN ORA 09:00
Ora 01:10-Rreth kësaj ore duke zbardhur e dielë, parlamenti mbylli diskutimet mbi programin e qeverisë së re për ti vijuar po sot, e dielë, ora 09:00. Kryetari i Parlamentit Ilir Meta u shpreh se parlamenti do të mblidhet të dielën (sot) ora 09:00 për të vijuar diskutimin dhe më pas të kalojnë në procedurë votimi programin e ri qeverisës së kabinetit ‘Rama’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat