Policia Rrugore e Tiranës njoftoi një ditë më parë se ka shtuar ndjeshëm kontrollet gjatë dy ditëve të fundit, me fokus te parakalimet e rrezikshme, mosrespektimi i radhës në trafik dhe drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit.
Përmes patrullave të pozicionuara në akset kryesore, dronëve, kamerave inteligjente dhe pikave të shumta të kontrollit të shpejtësisë, janë marrë masa të shumta administrative dhe penale.
Gjatë 48 orëve të fundit, janë vendosur 136 gjoba për parakalime të rrezikshme dhe mosrespektim të radhës, ndërsa 17 mjete janë bllokuar me karrotrec për shkelje të ndryshme, nga mungesa e dokumentacionit, deri te modifikimet e paligjshme.
Po ashtu, janë konstatuar 37 drejtues nën ndikimin e alkoolit, të cilët janë ndëshkuar sipas procedurës ligjore, ndërsa për parkime të gabuara janë vendosur 2758 masa administrative.
Por a i frenojnë gjobat aksidentet?
Eksperti i qarkullimit rrugor, Islam Qibini në një intervistë në “Ora News” u shpreh se probleme me qarkullimin rrugor hasen më së shumti tek të rinjtë.
“Problemi me shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor mbeten të rinjtë dhe studentët që marrin drejtimin e një automjeti, kjo pasi ata nuk kanë bindjen e duhur se shkelja e këtyre rregullave është shkak për aksidentet me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e tyre.
Me volumin e gjobave të vendosura nga Policia Rrugore tregon se kemi një masë të madhe të drejtuesve që kanë probleme me rregullat e qarkullimit. Kjo krijon një problematikë, por duhet parë nëse këto masa administrative janë të vendosura për shkak se shkeljet kanë të bëjnë me burim aksidenti apo janë vendosur për parkime të gabuara, apo shkelje të tjera që nuk kanë lidhje direkt me aksidente.
Por vihet re një fenomen që në zonat e banuara vërehen drejtues që nuk i zbatojnë rregullat teksa qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara.
Kjo përbën rrezik jo vetëm për vetë drejtuesin e mjetit, por edhe për qytetarët që banojnë në ato zona, të cilët mund të jenë në vijat e bardha, por që për shkak të agresivitetit të drejtimit të mjetit nga drejtues të veçantë dhe bëhen kështu burim i shtuar aksidenti.
Duhen parë funksionimi i ndryshimeve ligjore të bëra në vitin 2023 në Kodin Rrugor, se aplikimi i gjobave ka ndikur negativisht tek drejtuesit e mjeteve”, u shpreh ndër të tjera eksperti Islam Qibini.