Tërheqja e firmave të PD-së për Avokatin e Popullit, Berisha për Shabanin: I lidhur me Ramën

Shqipëria

Tërheqja e firmave të PD-së për Avokatin e Popullit, Berisha për Shabanin: I lidhur me Ramën

Më: 11 dhjetor 2025 Në ora: 14:35
Sali Berisha

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi sot, 11 dhjetor, tërheqjen e firmave të kësaj force politike për kandidaturat e Avokatit të Popullit.

Më konkretisht, u ndal tek emri i kandidatit Endri Shabani, të cilin e akuzoi për lidhje politike me kryeministrin e vendit, Edi Rama.

Berisha sqaroi se firma pro për Shabanin u dha nga demokratët kur ai dha mbështetje për Florian Binaj, lidhur me kandidaturën e tij për Bashkinë e Tiranës.

“Unë nuk them që nuk i mori firmat Endri Shabani. I mori në një periudhë Endri Shabani kur ai mbështeti Florian Binajn, se nuk mund të them që nuk ishte një koalicion moral i plotë i të gjitha forcave politike.

Por pastaj dolën një seri problemesh që faktuan se ai që kishte atë fjalor si opozitar i opozitës, nuk ishte vetëm kaq, por ishte një person me lidhje kryekëput me Edi Ramën“, tha Berisha.

Po kështu, Berisha u shpreh se Avokati i Popullit duhet të jetë një person i besueshëm e i pavarur nga politika.

“Dhe ky nuk është vetëm mendimi ynë, por është një mendim më i gjerë edhe i faktorëve të palidhur me opozitën, por që ishin dhe janë që Avokati i Popullit të jetë një person i besueshëm, një person me kredenciale dhe integritet të lartë. Më së paku, Endri Shabani është kryetar i një partie, nuk po marr anën tjetër“, tha ai.

Sakaq, lidhur me miratimin e gjashtë kandidaturave nga Komisioni i Ligjeve, kryedemokrati u shpreh se u hodh poshtë vendimi i demokratëve për të “mos humbur firmat për Endri Shabanin”.

“Por Komisioni i Ligjeve vendosi që deputetët nuk do kenë të drejtë të firmosin për më shumë se një kandidat.

Në përputhje me këtë vendim, grupi parlamentar i PD dërgoi një shkresë në Kuvend ku e informon se tërheq çdo firmë për çdo kandidat. Dhe, këtë vendim të Komisionit të Ligjeve, në mënyrë të habitshme, e hodhi poshtë mazhoranca pa asnjë vendim. E bëri të paqenë pa marrë asnjë vendim në asnjë institucion.

Pse e bëri këtë? Se humbisnin firmat për Endrin Shabanin“, tha Berisha.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat