Erion Veliaj, përmes avokatit të tij mbrojtës ka depozituar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) një kërkesë për revokimin e vendimit të ndërmjetëm të dhënë nga kjo gjykatë më 2 dhjetor 2025.
Kryebashkiaku Veliaj kërkon heqjen e masës së vendosjes në kafaz gjatë seancave, vënien në dispozicion të plotë dhe të menjëhershme të akteve të dosjes në një formë të aksesueshme, si dhe shtyrjen e procedurës deri në garantimin e këtyre të drejtave.
Sipas kërkesës së dorëzuar nga mbrojtja argumentohet se gjykata ka aplikuar një standard të ndryshëm nga praktika e sa e mëparshme, në raste të ngjashme.
Mbrojtja thekson se, duke qenë se dosja përmban rreth 60 mijë faqe, 21 GB në format elektronik, e drejta e të pandehurit për t’u njohur personalisht me materialet është thelbësore për garantimin e mbrojtjes efektive.